Kina është duke u përballur me valën më të rëndë të pandemisë së koronavirusit. Nga raportimi i rasteve, të shtunën, Kina regjistroi dy vdekjet e para nga COVID-19 në më shumë se një vit.
Ndërsa, të dielën, Komisioni Shëndetësor i Kinës, ka raportuar se janë regjistruar më shumë se 4 mijë infektime lokale dhe raste asimptomatike në gjithë vendin. Disa miliona njerëz janë izoluar, teksa shumë qytete kanë vendosur kufizime të pjesshme apo të plota në lëvizje. Shangai, Shenzhen dhe Tangshan janë në mesin e qyteteve më të prekura.
Kina, të dielën vendosi urdhra për qëndrim në shtëpi për miliona njerëz, në verilindje të vendit ndërsa po lufton me shpërthimin e saj më të madh të COVID-19 që prej dy vitësh.

Vendi e ka mbajtur kryesisht virusin larg qëkur filloi vala e parë e pandemisë në vitin 2020 duke përdorur bllokime të synuara, testime masive dhe kufizime të udhëtimit. Por lloji Omicron ka thyer mbrojtjen e kineze në muajt e fundit dhe ka pushtuar qytete të shumta.
Jilin, qyteti i dytë më i madh, do të mbyllë rreth 4.5 milionë banorë për tre ditë nga nata e së hënës, njoftuan autoritetet lokale të Kinës.
Që nga 11 marsi, nëntë milionë njerëzit e Changchun-it janë lejuar vetëm një herë në dy ditë për të blerë ushqim. Masat e reja nënkuptojnë se vetëm personeli mjekësor dhe punonjësit e tjerë do të autorizohen të largohen nga shtëpitë e tyre.
Por, kufizimet po lehtësohen në qendrën jugore të teknologjisë në Shenzhen, e cila mbylli 17.5 milionë banorët e saj një javë më parë. Transporti publik do të rifillojë plotësisht nga e hëna, krahas disa aktiviteteve administrative dhe biznesore, thanë të dielën autoritetet lokale shëndetësore.

Dhjetëra miliona njerëz janë aktualisht në izolim në rajone të tjera dhe autoritetet po nxitojnë të krijojnë shtretër spitalor, nga frika se shpërthimi mund të vërë nën tendosje sistemin e kujdesit shëndetësor. Provinca Jilin ka ndërtuar tetë spitale të përkohshme dhe dy qendra karantine.
Në lindje të kryeqytetit Pekin, qyteti i Tangshan ndaloi trafikun për 24 orë të dielën në një përpjekje për të ngadalësuar përhapjen e virusit dhe do të testojë të gjithë 7.7 milion njerëzit e tij.
Metoda e Kinës për mbajtjen e rasteve afër zeros për më shumë se dy vjet ka qenë gjurmimi, testimi dhe izolimi i të gjitha infeksioneve, kontakteve të tyre të ngushta dhe kontakteve të ngushta të atyre kontakteve më shpejt sesa mund të përhapet virusi.