Alban Zeneli, profesor në Departamentin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, ka folur lidhur me rënien e ndjeshme të Kosovës në Indeksin Botëror të Lirisë së Shtypit për vitin 2025, të publikuar nga organizata Reporterët pa Kufij.


Ai në Five në RTV Dukagjini ka folur lidhur me Ligjin për Këshillin e Pavarur të Mediave (KPM), i cili ishte miratuar nga pushteti, por më vonë rrëzuar nga gjykata.
Zeneli ka thënë se tendenca e cila ka dërguar drejt miratimit të atij ligji ka qenë me pretekstin për adoptimin e një rregulloreje të Bashkimit Evropian që ka të bëjë me videot online.


“Duke e përdor këtë precedent, ata e kanë ndryshu një ligj në rrënjën e tij dhe funksionin e tij, duke i bërë dy punë në të njëjtën kohë. Ai ligj ka synu që të politizojë Komisionin e Pavarur për Media, pra ta bëjë jo funksional dhe ta delegjitimojë si rregullator deri tani i denjë i mediave, dhe në të njëjtën kohë t’ia heq nga dora një adut të madh që e ka pas autoriteti vetërregullativ – Këshilli i Mediave të Shkruara”, ka thënë ai.


Tutje, ai ka thënë se me këtë është synuar që të ndryshohet komplet arkitektura se si mediat mbahen përgjegjëse për punën e tyre.
“Pastaj, kjo përgjegjësi kalonte te disa persona që zgjidheshin përmes Kuvendit të Kosovës edhe për pjesën online, dhe kjo e bënte jashtëzakonisht problematike, shto këtu faktin se Komisioni i Pavarur për Media edhe aktualisht ka shumë sfida të pavarësisë së vet, duke u nis prej sfidave të financave – që nuk është financiarisht i pavarur si institucion – te mungesa e kuadrit, edhe në kuptimin e numrave edhe në kuptimin e kualifikimit të njerëzve që punojnë ose që do të duhej të punonin në KPM për me bë një monitorim dhe për me bë një mbështetje të rregullimit të mediave mirëfilli në demokracinë tonë të brishtë”, ka thënë ai.
“Vendi i 99-të sot, për mua nuk është befasi. Rënia është befasi, numri pra – 24 vende prej vitit të kaluar. Kur i shohim indikatorët veç e veç, mujme me i kuptu arsyet”.


Ai ka treguar edhe se si këta indikatorë kanë dërguar deri te renditja në vendin e 99-të, ku sipas tij, të gjithë indikatorët i kanë rrënjët te indikatori i parë, pra indikatori i politikës – se si sillet ajo me median.