Kosova dhe BE-ja vazhdojnë kritikat në distancë, SHBA-ja mbështet ndërmjetësit
Janë shtuar radhët e përfaqësuesve të Kosovës të cilët mendojnë se Miroslav Lajçak është pozicionuar haptas në favor të Serbisë. Krah kritikave të ashpra nga Kryeministri tash është rreshtuar edhe Kryeparlamentari. “Nëse mundoheni me shkatërrua ide atëherë jeni në favor të Serbisë. Është përfaqësim i pozicionit të Serbisë. Nuk është akuzë kjo, kjo është thjesht […]
Janë shtuar radhët e përfaqësuesve të Kosovës të cilët mendojnë se Miroslav Lajçak është pozicionuar haptas në favor të Serbisë.
Krah kritikave të ashpra nga Kryeministri tash është rreshtuar edhe Kryeparlamentari.
“Nëse mundoheni me shkatërrua ide atëherë jeni në favor të Serbisë. Është përfaqësim i pozicionit të Serbisë. Nuk është akuzë kjo, kjo është thjesht identifikim i një njeriu i cili po e kryen punë e vet goxha në mënyrë të papërgjegjshme”, kishte deklaruar kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.
Konjufca thotë se dialogu nuk mund të ecë përpara pa njohje, dhe se asociacioni bashkë me njohjen janë çelësi i mundshëm për të ecur përpara.
Përplasjen nga distanca nuk po e mirëpresin ndërmjetësuesit.
“Qëllimi i BE-së është ta drejtojë dialogun aty ku e ka vendin, që do të thotë në tryezën e bisedimeve dhe jo në publik dhe jo në media. Palët e dinë shumë mirë, çfarë pritet nga ta të bëjnë në mënyrë që të shkohet përpara, të dyja në dialog për normalizimin e marrëdhënieve dhe të avancojnë në Evropë”, ka deklaruar Peter Stano, Zëdhënës i BE-së.
Kurti dhe Konjufca mund të kenë dyshimet për rolin e Lajçakut, por mendim ndryshe ka ambasadori amerikan në Kosovë.
“SHBA-ja ka besim të plotë në BE-në në ndërmjetësimin e saj të dialogut, SHBA-ja ka besim të plotë në përfaqësuesin e lartë [të BE-së, Josep] Borrell dhe përfaqësuesin e posaçëm [për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav] Lajçak, si zbatues objektivë të kësaj politike”ka deklaruar Jeffrey Hovenier, Ambasador i SHBA-së në Kosovë.
Mendim ndryshe ka një ndërkombëtar, mirëpo jo në rolin e ambasadorit, por si profesor universitar në Londër.
“Është bizare se si dikush mund të shoh natyrën e këtyre negociatave, dhe të mos e shoh qartë se është një palë e cila po i minon negociatat, dhe ajo palë është Serbia. E vetmja palë që mendon se Serbia është partner konstruktiv në negociata janë dy negociatorët e BE-së (Lajçak dhe Borell)…”, ka thënë Aidan Hehir, Profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare.
Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Aidan Hehir thotë se asociacionit do ta defunksionalizonte Kosovën.
“Fatkeqësisht dhënia e pozitës së kryenegocatiorëve (Lajçak-Borell) ishtë shumë e pa-pëlqyshme dhe nuk mund të shkohet përpara me Lajçaku dhe Borellin me pozitat që kanë, jo vetëm për faktin se vijnë nga shtete që nuk e njohin Kosovën, Spanja dhe Sllovakia, padyshim është fillim i keq. Borelli veçanërisht disa herë ka deklaruar, edhe para se të jetë në këtë pozitë, se nuk e njeh Kosovën, dhe se kurrë nuk do ta njoh Kosovën”, ka deklaruar tutje Hehir.
Ai mendon se doza e rëndë e kritikës ndaj Kurtit është një përpjekje për ta fajësuar për gjithçka vetëm një person (Kurtin) para komunitetit ndërkombëtar.
Pos të tjerash Hehir kritikon edhe përfaqësuesit amerikan të cilët, sipas tij, qe disa vite në dialog e kanë braktisur faktin që Kosova është shtet i pavarur dhe i njohur ndërkombëtarisht.















