Komunikimin tash e disa ditë e bëjnë përmes mediave, por Bashkimit Evropian nuk po i pëlqen fakti se palët në dialog, qëndrimet po i shprehin në publik.

Kjo është thënë dje edhe është ripërsëritur sot nga zëdhënësi Peter Stano, i cili në konferencën e rregullt ka përmendur kërkesën tashmë të ditur për Kosovën.

“Do të përsëris edhe një herë, dy pika shumë të rëndësishme. 27 shtetet anëtare të BE-së, kanë thënë shumë qartë se puna për themelimin e Asociacionit duhet të fillojë pa ndonjë vonesë apo parakushte të mëtejshme. Çështja se si të bëhet, në çfarë mënyre, në çfarë forme do të diskutohet në kuadër të dialogut. Dialogu është platforma për të zgjidhur çështjet dhe procesi duhet të kontaktohet dhe do të kontaktohet në dialog jo hapur, jo në publik, jo në media”, ka deklaruar Stano.

Ngjashëm me Bashkimin Evropian, edhe pala kosovare nuk po lëvizë nga pozicioni që ka mbajtur edhe në takimin e fundit më 14 shtator.

“Çdo kush që e lexon tekstin e Marrëveshjes Bazike, e ka të lehtë ta evidentoj se në qendër të asaj marrëveshje është njohja de-facto e ndërsjellë, njohja e integritetit territorial dhe barazia sovrane e njëra tjetrës dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike në bazë të Kartës se OKB-se. Përpjekja për të zhvendosur këto në kohë e dëmton Marrëveshjen Bazike, por edhe gjithë procesin përpara”, ka deklaruar  Përparim Kryeziu, Zëdhënës i Qeverisë.

Në këtë përgjigje me shkrim për RTV Dukagjini, Kryeziu thotë se në takimin e fundit, Kosova ishte e vetmja palë me propozim për sekuencim të zbatimit të marrëveshjes bazike.

“Është gabim të vendosen kushtëzime për zbatimin e saj, kur as vet në tekstin e Marrëveshjes Bazike nuk paraqiten kushtëzime. Madje në Aneks thuhet qartazi se të gjitha nenet zbatohen pavarësisht njëra tjetrës. Takimi i fundit bilateral është ndërprerë nga z. Borell. Nuk ka përfunduar. Me metodën e vjetër nuk mund të ketë rezultate të reja. Marrëveshja Bazike duhet të zbatohet në tërësi, pa vonesa, pa kushte. Për çdo shkelje ndërmjetësit duhet të reagojnë, jo të heshtin”, ka thënë Kryeziu.

Sipas tij, angazhimi i Qeverisë së Kosovës në dialog ka qenë arritja e një marrëveshje të obligueshme me njohjen reciproke në qendër, por jo përmes kushtëzimeve, por përmes respektimit të frymës së marrëveshjes.