Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka treguar se Kosova dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë arritur një marrëveshje për një program mbështetës me vlerë deri në 260 milionë euro. Dhe, sipas tij, kjo do të përfshijë investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore, si dhe një Aranzhim për Gatishmëri në vlerë prej 100 milionë eurosh për 2 vitet e ardhshme.

Sipas Murati, kjo marrëveshje është arritur gjatë qëndrimit në takimet pranverore në Washington D.C.

“Kosova dhe FMN arrijnë marrëveshje për program të ri mbështetës, në vlerë deri në 260 milionë euro”, ka thënë ai.

“Programi i ri përfshin vënien në dispozicion, fillimisht të shumës prej 80 milionë eurosh në kuadër të instrumentit më të ri të FMN-së të quajtur Resilience and Sustainability Fund, dhe me mundësinë e zgjerimit për edhe 80 milionë euro tjera”, ka shkruar ai në Facebook.

“Në momentin e miratimit nga Bordi i FMN-së, Kosova do të bëhet vendi i parë në Evropë që do të përfitojë nga ky lloj programi me FMN-në. Mjetet nga programi RSF pritet t’i vihen në dispozicion Kosovës për investime në ndërtim të kapaciteteve të reja të energjisë së ripërtërishme me erë dhe diellore. Pjesa tjetër e mbështetjes do të jetë në formën e një Aranzhimi për Gatishmëri (precautionary SBA) në vlerë prej 100 milionë euro për 2 vitet e ardhshme”, ka deklaruar Murati.

Më tej, Murati ka thënë se kjo është edhe një dëshmi që reformat Qeverisë Kurti 2 po vlerësohen edhe nga institucionet ndërkombëtare si FMN.

“Pikënisje për këtë arritje ka qenë suksesi në konsolidimin e shpejtë të financave publike dhe vendimmarrja e matur fiskale”, ka shkruar ai.

Murati ka përfunduar duke e falënderuar të gjithë ekipin që kanë punuar shumë në përgatitjen e këtij programi.