“Kosova dhe Serbia s’kanë shumë alternativa, sanksionet do të jenë të ashpra”

Ndalje e përkrahjes, suspendim i fondeve dhe izolim përbuzës, pritet të jenë disa nga sanksionet ndaj Kosovës dhe Serbisë, thotë analisti politik Artan Muhaxhiri

Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, kishte deklaruar se në takimet e zhvilluara të enjten me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, është rënë dakord se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.

Por sipas analistit politik, Artan Muhaxhiri, asnjëra palë nuk kanë shumë alternativa ndaj respektimit të zotimeve të tyre, sepse siç thotë ai sanksionet do të jenë të ashpra.

Në një prononcim me shkrim për Portali Dukagjini, Muhaxhiri ka renditur disa nga sanksionet e mundshme me të cilat do të ndëshkohen palët.

“Takimet në Bruksel patën urgjencë të jashtëzakonshme për shkak të situatës skajshmërisht komplekse në veri. Përgjithësisht është simbolikë pesimiste që ngjarjet konfliktuale të ndodhin me kaq lehtësi, ndërsa veprimet pozitive të vijnë vetëm pas angazhimeve të ndërlikuara shumëdimensionale. Lidershipi kosovar dhe ai serb nuk kanë shumë alternativa ndaj respektimit të zotimeve të bëra gjatë takimeve, sepse sanksionet do të jenë shumë të ashpra: ndalje e përkrahjes, suspendim i fondeve dhe izolim përbuzës”, ka thënë ai.

Analisti, Artan Muhaxhiri

Muhaxhiri thekson se Kosova dhe Serbia e synojnë integrimin në BE dhe tashmë janë pjesë e projekteve evropiane, realitet i cili këtij institucioni i jep peshë madhore në dialog.

Sipas tij, roli jetik i SHBA-ve nënkuptohet, pasi ndikimet që ka si superfuqi e vetme janë të përtejshme.

Po ashtu, ai ka potencuar se stili i komplikuar veprues i BE-së ka ndikuar në mjegullimin e euro-perspektivës për dy vendet negociatore.

“Në rastin e Kosovës, zhagmitja e liberalizimit të vizave e ka diktuar thellësisht zbehjen e entuziazmit popullor dhe qeveritar, por edhe dobësimin e autoritetit për të imponuar dinamika më energjike”, tha Muhaxhiri.

Ai vlerëson se sikur të rriteshin mundësitë e të mirave konkrete për qytetarët kosovarë, një kontekst i tillë do ta obligonte edhe më tepër Kryeministrin Kurti që të ishte më bashkëpunues.

“Nëse ka vetëm presione të ashpra, pa oferta tjera joshëse, atëherë krijohen parakushte për rritjen e populizmit anti-Amerikë dhe anti-BE”, shtoi më tej analisti.

Ndonëse siç thotë analisti Muhaxhiri pikënisjet e Kosovës dhe Serbisë janë të kundërta, së bashku me aleatët respektivë, është e pritshme që kjo situatë të krijojë kundërshti, mirëpo jo aq sa të sfidohen orientimet strategjike ekzistuese.

“Mjeshtëria politike konsiston në të shkuarit deri afër vijave të kuqe, por pa i shkelur ato. Në të treguarit e dinjitetit, pa i ofenduar miqtë vitalë. Pozicionet mund të përafrohen me presione të mëdha amerikano-evropiane, si dhe me qartësim të dobive e dëmeve që vijnë varësisht nga nivelet e kontributeve konstruktive”.

 Në takim është diskutuar edhe lidhur me kidnapimin e tre policëve kosovarë nga forcat serbe në veri të vendit.

Borrelli deklaroi t’i ketë thënë Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.

E për këtë, njohësi i zhvillimeve në rajon, Azem Vllasi, në një prononcim për Portali Dukagjini, ka thënë se lirimi i policëve të rrëmbyer duhet të jetë urgjent dhe sipas tij pa këtë nuk ka vazhdim të dialogut për asnjë temë.

“Ndërmjetësuesit e BE në dialog bashkë me Amerikanët të këmbëngulin në zbatimin e dy marrëveshjeve (Brukselit/Ohrit). Kjo është rruga e vetme për normalizimin e raporteve mes Kosovës e Serbisë. Por pa lirimin e tre policëve të kidnapuar nuk ka asnjë përparim e as shtensionim. Nuk është problem të pranohen tri kushte të shtruara nga BE dhe SHBA për shtensionimin e gjendjes momentale. Kështu pala kosovare do ta përmirësojë pozicionin e vet në vazhdim të dialogut”, është shprehur Vllasi.

Juristi dhe ish-politikani Azem Vllasi

Po ashtu ai ka thënë se presidenti serb u frikësohet këtyre marrëveshjeve dhe në mënyrë që ta tërheqë vëmendjen nga to, po shkakton tensione në veri.

“Vuçiqi është frikësuar nga marrëveshjet e Brukselit të 27 shkurtit dhe ajo të Ohrit e 18 marsit dhe tashti me shkaktimit tē tensioneve në veri synon që këto të harrohen. Pala kosovare duhet tē insistojë që të vazhdohet në zbatimin e këtyre marrëveshjeve”, shtoi më tej ai.

Ndryshe, zgjedhjet e parakohshme në katër komunat veriore të Kosovës duhet të mbahen. Kështu është njoftuar se janë pajtuar kryeministri Kurti, dhe presidenti Vuçiq, në takimet që i mbajtën veç e veç me ndërmjetësuesit e BE-së në dialogun Kosovë-Serbi.

Kryeministri Kurti, pas takimit në Bruksel, ka shprehur gatishmërinë për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme lokale në Kosovë, por “në përputhje me kornizën ligjore të vendit”.

“E kuptojmë se ka nevojë për zgjedhje të parakohshme në katër komunat në veri, me një proces i cili paraprihet nga sundimi i ligjit, nga një fushatë e hapur dhe fer dhe nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Nuk mund të them se situata është e sigurt për shkak të takimeve bilaterale dhe kemi një paqe të qëndrueshme, por nga optimizmi i ndërmjetësit mund të them se ka shenja se ditët përpara do të jenë më të mira nga ato që kemi lënë pas ”, kishte thënë Kurti.

Kurti ka treguar se ishte i gatshëm të takohej me presidentin serb, por që i njëjti kishte refuzuar.

Pas takimit me ndërmjetësuesit e dialogut Vuçiq ka thënë se nuk mund të konfirmojë që “ka ndonjë udhërrëfyes”, për daljen nga kriza në veri të Kosovës.

“Kemi diskutuar çështjen, substancën, e cila ishte e pashmangshme, por besoj edhe e dobishme, por atë që do të shohim nesër në terren, nuk e di… kur kemi kamionë në pritje…”, ishte shprehur  ai.

Që nga fundi i majit, tensionet në veri të Kosovës u rritën pasi kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veri, me asistimin e Policisë së Kosovës, hynë në ndërtesat komunale, mes kundërshtimeve nga serbët lokalë.

Që atëherë, serbët lokalë kanë protestuar para ndërtesave komunale në Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara i kanë paraqitur kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, tri kërkesa sa i përket tensioneve: qetësimin e situatës në veri të Kosovës, mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri dhe rikthimin në dialogun për normalizimin e raporteve.

SHBA-ja po ashtu ka inkurajuar Kurtin që kryetarët e rinj shqiptarë të komunave në veritë kryejnë detyrat e tyre nga lokacione alternative.

Kurti, ndërkaq, ka paraqitur një plan prej pesë pikash.

Shija e redaktorit

FSK aktivizohet për ruajtjen e infrastrukturës kritike në vend

Kryeministri Albin Kurti ka bërë të ditur se një nga vendim e mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së Kosovës që është mbajtur në orët...

Blinken uron Shqipërinë: Lidhjet tona do të vazhdojnë të lulëzojnë

Në një mesazh për 28 Nëntorin, sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony  Blinken, shprehu urimet e tij për popullin shqiptar, duke theksuar marrëdhëniet e...

Osmani: 28 Nëntori, kujtim i sakrificave dhe simbiozë e tri...

Në një urim për 28 Nëntorin, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka theksuar rëndësinë historike të kësaj dite, duke e cilësuar atë si një...

Të fundit nga rubrika