Kosova dhe Serbia “të mos ndërpresin komunikimin”

Në samitin e Procesit të Bërdo-Brionit, të mbajtur në Shkup më 11 shtator, është bërë thirrje ndaj Kosovës dhe Serbisë që të mos ndërpresin komunikimin

Liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të mbledhur në samitin e Bërdo-Brionit në Shkup.

Në samitin e Procesit të Bërdo-Brionit, të mbajtur në Shkup, më 11 shtator, Kosovës dhe Serbisë iu bë thirrje që të mos e ndërpresin komunikimin, përderisa takimi në Maqedoninë e Veriut u fokusua në integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se ky takim ishte një nga “më konstruktivat” në kuadër të Procesit të Bërdo-Brionit dhe se kryefjalë ishte integrimi evropian.

Osmani ka theksuar se çështjet bilaterale me Serbinë po diskutohen në forume të tjera dhe ka fajësuar Serbinë për tensionet në veri të Kosovës. Ajo gjithashtu ka kërkuar heqjen e masave të BE-së ndaj Kosovës dhe ka sugjeruar që Kroacia, si një prej shteteve anëtare të BE-së, të jetë ndër të parat që kërkojnë këtë.

“Çështjet bilaterale që i kemi me Serbinë, diskutohen në forume të tjera”, ka thënë Osmani kur u pyet nëse është diskutuar për raportet Prishtinë-Beograd.

Po ashtu, siç ka njoftuar Zyra e Presidencës, Osmani ndër të tjera ka deklaruar se është interes strategjik që Kosovës t’i jepet statusi i vendit kandidat nga Bashkimi Evropian.

Në një konferencë për media, presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, u pyet nëse është më e rëndësishme zgjidhja e çështjeve të hapura për shtetet që synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian apo plotësimi i kritereve për anëtarësim. Ai tha se të dyja janë të rëndësishme.

“Ekzistojnë çështje të hapura, veçanërisht mes Serbisë dhe Kosovës, të cilat nuk e njohin njëra-tjetrën. Këto janë dy procese që zhvillohen paralelisht dhe në të njëjtën kohë dhe dua të ritheksoj se mendoj që bisedimet kanë vlerë dhe më e keqja ndodh kur ndërpriten linjat telefonike, ajo është vdekje, vdekje për dialogun, për komunikimin për mirëkuptimin e ndërsjellë, por edhe për keqkuptimin, kur ndodh diçka e tillë. Një nga momentet më të rëndësishme në kohën e fundit ka të bëjë me identitetin dhe vetë respektin e vendeve të këtij rajoni, kjo është kur Ukraina mori statusin e kandidatit para Bosnje e Hercegovinës, kjo ishte e pashpjegueshme, por ja që ndodhi”, ka deklaruar Millanoviq, raporton REL.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Vuçiq e cilësoi takimin në Shkup si “korrekt dhe të mirë” dhe theksoi se aty nuk u fol për raportin e shtetit të tij me Kosovën.

“Prishtina dhe ne i lamë problemet tona për të enjten [takimi i radhës i dialogut Kosovë-Serbi që do të mbahet në Bruksel], kështu që sot u fol më shumë për raportet e vetë rajonit të Ballkanit Perëndimor ndaj BE-së sesa për çdo gjë tjetër”, ka thënë Vuçiq, duke shtuar se në takimin e liderëve u diskutua për mundësitë ekonomike dhe për tejkalimin e problemeve në të ardhmen.

Në anën tjetër, presidenti maqedonas, Pendarovski gjatë konferencës për media me Millanoviqin dhe presidenten sllovene, Pirc Musar, tha se në raport me aspirata e Maqedonisë së Veriut drejt BE-së, ekziston një disbalancë e madhe ndërmjet kritereve tradicionale për hyrje në bllok dhe marrëdhënieve bilaterale me së paku dy fqinjët e Shkupit.

“Shpresojmë se kjo do të ndryshojë së shpejti, sepse nëse në Ballkanin Perëndimor insistoni që mosmarrëveshjet thjesht bilaterale të zgjidhen, veçanërisht nëse ato bazohen në histori dhe emocione, atëherë asnjë vend nga Ballkani Perëndimor nuk do të hyjë kurrë në Bashkimin Evropian”, është përgjigjur ai në pyetjen se a është më e rëndësishme zgjidhja e çështjeve politike mes shteteve që synojnë anëtarësimin në bllok apo plotësimi i kritereve që kërkohen nga Brukseli.

Presidentja e Sllovenisë, Pirc Musar, ka theksuar se e ardhmja e të rinjve mbetet në fokus të zhvillimeve të vendeve të rajonit. Ajo shtoi se pas samitit të Bërdo-Brionit do të iniciohen hapa konkretë, sikurse përfshirja e vendeve të Ballkanit Perëndimor ndaj katastrofave natyrore.

“Kemi identifikuar që shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në roamingun e Evropës, si dhe anëtarësimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në mekanizmin e Bashkimit Evropian për përgjigje ndaj katastrofave natyrore”, ka thënë ajo.

Procesi i Bërdo-Brionit është një nismë sllovene-kroate, e ndërmarrë në vitin 2010 nga Borut Pahor, atëbotë kryeministër i Sllovenisë.

Qëllim i saj është forcimi i besimit të ndërsjellë në Ballkanin Perëndimor, bashkëpunimi rajonal dhe integrimi më i shpejtë i këtij rajoni në BE.

Presidenti Pendarovski, të dielën, ka organizuar një darkë për presidentët e shteteve pjesëmarrëse me përjashtim të presidentit të Serbisë, Vuçiq i cili pjesëmarrjen e ka paralajmëruar për të hënën, ditën e mbajtjes së samitit.

Udhëheqësit e shteteve të procesit Bërdo-Brioni takohen të paktën një herë në vit.

Në samitin e vitit të kaluar, që u mbajt në Bërdo të Sllovenisë, pjesë e konkluzioneve të miratuara ishte thirrja drejtuar Bashkimit Evropian që t’i ofrojë Kosovës liberalizimin e vizave, ndërsa Bosnje e Hercegovinës statusin e shtetit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian.

Vendimi për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës hyn në fuqi më 1 janar të vitit 2024, ndërsa Bosnje-Hercegovina e ka marrë statusin e vendit kandidat në dhjetor të vitit të kaluar.

Shija e redaktorit

Spanja kampione e Evropës për herë të katërt

Ka mbaruar super ndeshja mes Spanjës dhe Anglisë në kuadër të finales së Kampionatit Evropian 2024. Pas një loje fantastike, Spanja ka përmbyllur ndeshjen me...

Spanja në finale, mposht Francën

Kombëtarja e Spanjës ka arritur kualifikimin në finale të Euro 2024, pasi mposhti me rezultat 2:1 kombëtaren e Francës në gjysmëfinale. Në pjesën e dytë...

Ballkani triumfon në ndeshjen e parë kualifikuese në Ligën e...

Ballkani ka fituar 2-1 ndaj Santa Coloman në 1/8 e fazës kualifikuese në Ligën e Kampionëve. Ndeshja nisi me një ritëm të qetë, por që...

Të fundit nga rubrika