Kosova dorëzon aplikimin për anëtarësim në BE

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, aplikimin për anëtarësim në BE e ka dorëzuar në Republikën çeke, vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti





Kosova, të enjten e 15 dhjetorit, ka aplikuar për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dorëzuar aplikimin në Republikën çeke, vendin që aktualisht kryeson Presidencën e BE-së.

Ceremonia e dorëzimit është mbajtur në ndërtesën e Qeverisë çeke, në Pragë.

Një ditë më parë, udhëheqësit e Kosovës, përfshirë kryeministrin Kurti, presidenten Vjosa Osmani dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, e nënshkruan aplikimin në Prishtinë, duke e cilësuar këtë si “hap historik” për Kosovën.

“Ne jemi sot së bashku për të sjellë vendin tonë një hap më afër Bashkimit Evropian, duke kontribuuar po kështu që edhe BE të afrohet një hap më afër jetësimit të projektit të Evropës së tërë, të lirë e në paqe”, kishte thënë Osmani.

Ndryshe, lidhur me këtë, në një përgjigje për Portalin Dukagjini, nga zyra e BE-së, është thënë se BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.

Sipas tyre, kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së.

“Kosova ka një perspektivë të qartë evropiane. BE-ja vazhdon ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt BE-së, duke filluar përmes zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit BE-Kosovë që ka hyrë në fuqi në vitin 2016. Kur bëhet fjalë për aplikimet për anëtarësim, procedurat për aplikim janë të përcaktuara në Traktatin e BE-së”, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër, edhe presidenca e Çekisë e ka vlerësuar vendimin e Kosovës që këtë hap e ka bërë gjatë mandatit të presidencës çeke të Këshillit të BE-së.

“Ne vlerësojmë se vendimi për hapin e ardhshëm drejt perspektivës së Kosovës në BE po merret nga Qeveria e Kosovës gjatë Presidencës Çeke të Këshillit të BE-së, pasi rajoni i Ballkanit Perëndimor ka qenë një nga prioritetet e Presidencës. Presidenca do të angazhohet menjëherë në konsultime me shtetet e tjera anëtare të BE-së”.

Kështu ka thënë në një përgjigje për Portalin Dukagjini, Marek Zeman, shef i departamentit të marrëdhënieve me publikun të Ministrisë për Çështjet Evropiane të Çekisë.

Në përgjigje tutje thuhet se Presidenca çeke do të informojë Këshillin për marrjen e aplikacionit në takimin e ardhshëm të ambasadorëve të BE-së më 20 dhjetor në Bruksel.

“Pas një vendimi nga Këshilli, Komisioni mund të kërkohet të përgatisë opinionin e saj për aplikimin e Kosovës”.

Të drejtë për aplikim ka secili vend evropian, që ka demokraci të qëndrueshme dhe ekonomi funksionale të tregut. Nuk ka asnjë garanci se ai do ta fitojë ulësen në BE.

Pas aplikimit për anëtarësim, janë tre hapa kryesorë, Statusi i kandidatit, Negociatat e anëtarësimit dhe Ratifikimi i traktatit.

Statusi i kandidatit nënkupton pranimin formal të aplikimit të një vendi. Ky status jepet me vendim unanim të Këshillit Evropian.

Nga koha e aplikimit deri te statusi i vendit kandidat mund të kalojnë disa vite kohë. Në rastin e Shqipërisë kanë kaluar pesë vjet, shkruan REL.

Negociatat e anëtarësimit janë hapi i dytë.

Ato nisin vetëm pasi vendi kandidat përmbush mjaftueshëm kriteret politike dhe kjo mund të marrë disa vite kohë.





Shija e redaktorit

Vetëm në muajin shkurt mërgata ka dërguar 87.9 milionë euro

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës, sipas kalendarit të publikimeve, ka prezantuar statistikat për institucionet e tjera financiare për muajin shkurt 2024, të remitancave...

Ndahen 8 milionë euro për 11 komuna

Ministri i Administrimit dhe Pushtetit Lokal(MAPL), Elbert Krasniqi, ka njoftuar se janë ndarë 8 milionë euro në 11 Komuna. Ministri Krasniqi, bashkë me kryetarët e...

Kosova një hap më afër anëtarësimit në Këshill të Evropës

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur...

Të fundit nga rubrika