Kosova ende pa raport për zbatimin e reformave nga Plani i Rritjes, edhe pse afati skadon në mesnatë

Kosova ende nuk e ka dorëzuar në Komisionin Evropian raportin mbi zbatimin e hapave reformues në kuadër të Planit të Rritjes, ka konfirmuar ky institucion për Radion Evropa e Lirë (REL).

Afati përfundimtar është 15 korriku, që praktikisht nënkupton se Kosova ka kohë deri në mesnatë për ta dorëzuar raportin në Bruksel.

Raporti është i domosdoshëm, sepse mbi bazën e tij Komisioni Evropian vlerëson shkallën e zbatimit të reformave, nga të cilat varen edhe pagesat e radhës nga Plani i Rritjes.

Për ndarjen e të hollave kërkohet vlerësim pozitiv i Komisionit Evropian.

Qeveria e Kosovës nuk i është përgjigjur pyetjes së REL-it nëse do t’ia dalë ta dorëzojë raportin në kohë.

Deri më tani, Kosova ka marrë vetëm parafinancimin prej mbi 61 milionë eurosh, që përfaqëson shtatë për qind të shumës së përgjithshme prej 882 milionë eurosh të ndara për vendin.

Kosova nuk ka marrë ende asnjë këst të rregullt nga Plani i Rritjes, pasi vlerësohet se nuk e ka përmbushur asnjë hap reformues. Arsyeja kryesore ishte kriza institucionale që shënoi tërë vitin e kaluar dhe pamundësia për të vazhduar me zbatimin e reformave.

Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, konfirmoi se deri më tani katër shtete të rajonit kanë dorëzuar raportet e tyre mbi zbatimin e reformave.

“Komisioni Evropian është i gatshëm t’i ndihmojë partnerët nga Ballkani Perëndimor që të përshpejtojnë zbatimin e reformave të papërfunduara, në mënyrë që ato të realizohen brenda afatit të zgjatur”, konfirmoi për REL Mercier.

Përveç Kosovës, raportin ende nuk e ka dorëzuar as Bosnje e Hercegovina. Në Bruksel nuk presin që të marrin dokument nga Bosnja, pasi ky shtet ende nuk e ka miratuar Agjendën e Reformave.

Më 30 qershor përfundoi afati për periudhën e katërt raportuese.

“Pas pranimit të raporteve, Komisioni do të vlerësojë zbatimin e hapave përkatës të reformës dhe do të marrë vendim për ndarjen e fondeve përkatëse”, tha Mercier.

Përparim i pabarabartë në rajon

Sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Evropian, vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur pothuajse të gjitha reformat e planifikuara, por vetëm 57 për qind e hapave janë përmbushur plotësisht.

Komisioni Evropian thekson se dallimet ndërmjet vendeve janë të mëdha.

Mali i Zi dhe Shqipëria udhëheqin me rreth 80 për qind të hapave të përmbushur. Pas tyre renditet Maqedonia e Veriut, e cila gjatë muajve të fundit ka përshpejtuar ndjeshëm ritmin e reformave dhe pritet ta tejkalojë shkallën prej 50 për qind.

Serbia vlerësohet se ka realizuar rreth 35 për qind të reformave, megjithëse puna është duke u zhvilluar në rreth 85 për qind të hapave të planifikuar.

Kosova dhe Bosnja ngelin mbrapa

Kosova dhe Bosnja janë dy vendet që kanë mbetur dukshëm mbrapa, për shkak të rrethanave të ndryshme politike.

Në debatin e zhvilluar më 14 korrik në Komitetin për Punë të Jashtme të Parlamentit Evropian, drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Zgjerim, Jan Geert Koopman, konfirmoi se Kosova ka ngecur për shkak të krizës politike në vend.

“Kosova është shumë prapa. Kjo është pasojë e bllokadave të brendshme politike gjatë periudhës së kaluar, të cilat thjesht kanë penguar miratimin e legjislacionit të rëndësishëm. Megjithatë, pas zgjedhjeve të mbajtura në qershor të këtij viti, muajin e kaluar, tani po shohim se Kosova ka filluar të ndërtojë stabilitetin e nevojshëm institucional dhe, për këtë arsye, presim edhe një ritëm më të lartë të zbatimit të reformave”, deklaroi Koopman.

Bosnja, nga ana tjetër, jo vetëm që nuk ka marrë asnjë cent nga Plani i Rritjes, por për shkak të mosmiratimit të Agjendës së Reformave ka humbur edhe mbi 100 milionë euro.

Pagesat varen nga rezultatet

Edhe ritmi i pagesave ndryshon ndjeshëm ndërmjet vendeve.

Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi kanë marrë tashmë tri këste të rregullta.

Serbia ka marrë vetëm një pagesë, ndërsa fondet e tjera mbeten pezull për shkak të ligjeve të diskutueshme në fushën e drejtësisë. Komisioni Evropian po vlerëson nëse kushtet për pagesa të reja janë përmbushur.

“Fakti që deri më tani nuk është bërë asnjë pagesë tjetër tregon se nuk kemi qenë plotësisht të bindur se këto kushte janë përmbushur”, tha Koopman.

Kosova dhe Bosnja nuk kanë marrë asnjë pagesë të rregullt.

Mekanizmi është i thjeshtë: shtetet raportojnë për çdo hap reformues, secili hap ka një vlerë financiare, ndërsa Komisioni Evropian përcakton shumën që do të ndahet në bazë të rezultateve të arritura.

“Mendoj se është shumë e rëndësishme të kuptohet se kushtëzimi i rreptë përbën një nxitje të fuqishme për zbatimin e reformave. Dinamika e reformave që po shohim në rajon është e konsiderueshme. Prandaj, fakti që jo të gjitha fondet janë përdorur menjëherë nuk duhet të shihet si diçka negative. Përkundrazi, kjo është pjesë përbërëse e mënyrës se si është konceptuar ky instrument”, tha Koopman.

Fondet mund të humben përgjithmonë teksa afatet po skadojnë

Më herët gjatë këtij viti, komisionarja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, paralajmëroi se rajoni rrezikonte të humbiste rreth 700 milionë euro për shkak të vonesave në reforma.

Sipas zyrtarëve evropianë, ky paralajmërim ndikoi që vendet të përshpejtonin procesin. Megjithatë, edhe vendet më të avancuara mund të humbasin një pjesë të fondeve, pasi afatet po afrohen.

Dita e fundit e qershorit dhe ajo e dhjetorit përbëjnë dy afatet kyç. Hapat reformues që nuk realizohen brenda këtyre afateve humbasin financimin.

“Për rikujtim, afati për zbatimin e hapave të reformës në kuadër të periudhës së katërt të raportimit të Instrumentit për Reforma dhe Rritje ishte 30 qershori 2026. E njëjta datë shënoi edhe përfundimin e periudhës së tolerancës për hapat e reformës që duhej të ishin përmbushur në mesin e vitit 2025. Siç u përmend, Komisioni Evropian tani do t’i vlerësojë raportet dhe do të përcaktojë ndarjet përkatëse”, konfirmoi Guillaume Mercier.

Çfarë ndodh me fondet e humbura?

Fondet që humben nuk kthehen në buxhetin e Bashkimit Evropian.

Komisioni Evropian mund të rillogarisë ndarjen e mjeteve në nivel rajonal dhe t’ua ridrejtojë ato vendeve që kanë zbatuar me sukses reformat para afatit.

Me fjalë të tjera, sistemi transferon fondet nga vendet që nuk arrijnë rezultatet e kërkuara te ato që zbatojnë më shpejt reformat.

Megjithatë, duke qenë se tashmë është e qartë se jo të gjitha vendet do të përdorin fondet e tyre, Komisioni Evropian ende nuk ka vendosur se çfarë do të bëjë me pjesën e mbetur të mjeteve.

Aktualisht po shqyrtohen opsionet që ato të orientohen drejt investimeve të tjera në rajon, por vendimi përfundimtar ende nuk është marrë./RadioEvropaeLirë

Shija e redaktorit

Kontingjenti i dytë i FSK-së i bashkohet misionit paqeruajtës në...

Forca Ndërkombëtare Stabilizuese (ISF), misioni shumëkombësh paqeruajtës me mandat ndërkombëtar për stabilizimin e Gazës, ka mirëpritur sot(e diele) më 12 korrik kontingjentin e dytë...

BookFest rikthehet në Albi Mall: 10 ditë me zbritje speciale,...

Nga 10 deri më 19 korrik, Libraria Dukagjini sjell edicionin e katërt të BookFest, festivalit të librit që tashmë është shndërruar në një pikëtakim...

“Dukagjini” dhe “Pearson” organizojnë konferencë për mësimdhënësit e anglishtes

Shtëpia Botuese “Dukagjini”, në bashkëpunim me Pearson, organizoi sot në Prishtinë konferencën “Together We Rise”, një nga ngjarjet më të rëndësishme profesionale për mësimdhënësit...

Të fundit nga rubrika