Një tjetër akuzë e fletarrest i është shtuar Milan Radoiçiqit nga autoritetet e Kosovës.
Përveç i kërkuar për sulmin terrorist në Banjskë, ish-nënkryetari i Listës Serbe po kërkohet tani edhe për krime lufte.
Gjykata Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhër arrest ndaj tij, si dhe 19 serbëve të tjerë, si të dyshuar për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Në dokumentin e siguruar nga Dukagjini, thuhet se të njëjtit dyshohen për vrasjen e rreth 106 civilëve shqiptarë në Gjakovë.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake po ashtu vlerësoi se kërkesa për dhënien e urdhër arrestit është e bazuar për shkak të dyshimit të arsyeshëm se në periudhën kohore 1998-1999 të pandehurit e lartpërmendur, në vendin e quajtur “Ura e Taliqit” në Gjakovë nga data 7 maj e deri me datë 10 maj të vitit 1999, pjesëtarët e forcave ushtarake dhe policor serbe të uniformuar, ku me forcë dhe kanosje i nxorën nga shtëpitë të gjithe personat që ishin prezent duke i ndarë burrat nga gratë dhe fëmijët dhe me pas i vranë gjithsej 106 civilë të nacionalitetit shqiptarë dhe pas luftës trupat e tyre u gjeten në një varrezë masive në Batajnicë të Serbisë.”
Të njëjtin kërkohen edhe për keqtrajtimin e mbi 300 civilëve shqiptarë e komuniteteve të tjera, që u mbajtën në burgje të improvizuara.
“Po ashtu gjatë këtij aksioni të forcave policore dhe ushtarake serbe ku bënin pjesë edhe të pandehurit e lartcekur të filluar me datë 07 maj 1999 dhe te përfunduar me datë 10 maj 1999, arrestuan dhe burgosen mbi 300 persona civil të nacionalitetit shqiptarë dhe komunitetet tjera te cilët fillimisht u mbajtën në burgje te improvizuara, dhe pastaj një pjesë e madhe e këtyre të burgosurve ishin dërguar në burgje të ndryshme në Kosovë dhe në fund u transferuan në burgjet serbe në Serbi për tu liruar pas muajit Qershor te vitit 1999 me ndihmën e Organizatave Ndërkombëtare.”
Gjykata pas analizimit të shkresave të lëndës e kërkesës së Pokurorisë Speciale arriti në përfundim se të pandehurit nuk gjenden në Republikën e Kosovës, dhe janë të paarritshëm për organet e drejtësisë.
“Gjykata pas analizimit të shkresave të lëndës dhe kërkesës se PSRK-së, ka arritur ne përfundimin se te pandehurit e lartpërmendur nuk gjenden në territorin në Republikën e Kosovës dhe thirrja nuk mund t’i dërgohet pasi që të pandehurve, nuk kanë adresë vendbanim për t i dërguar thirrje dhe se t ë njëjtit janë t ë paarritshme për organet e drejtësisë, gjyqtari i procedurës paraprake konstaton se janë përmbushur kriteret nga neni 173 i KPPRK-së, pasi qe ekzistojnë rrethanat për dhënien e urdhër arrestit me qëllim të sigurimit te prezencës te pandehurit ne procedure penale.”
Milan Radoiçiq akuzohet edhe për sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, sulm për të cilin edhe e ka pranuar përgjegjësinë.
Për këtë rast, Gjykata ka lëshuar letërreshtim ndërkombëtar për sigurimin e prezencës së Radoiçiqit dhe të pandehurve tjerë në procedurë.