Kombëtarja e Kosovës do të jetë pa Albian Hajdarin në dy ndeshjet e ardhshme, ndërsa nga grumbullimi është liruar përkohësisht edhe mesfushori Leon Avdullahu.
Federata e Futbollit e Kosovës ka bërë të ditur të martën se Hajdari është larguar nga grumbullimi i “Dardanëve” në Debrecen, pasi nuk mund të rikuperohet në kohë nga lëndimi.
Mbrojtësi kishte munguar edhe në ndeshjen ndaj Austrisë dhe tashmë është konfirmuar se nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda as për dy sfidat e radhës, ndaj Izraelit dhe Austrisë.
“Mbrojtësi i Kombëtares së Kosovës, Albian Hajdari, është larguar nga grumbullimi i Dardanëve në Debrecen, pasi është konstatuar se rikuperimi i tij nga lëndimi nuk do të jetë i mundur në kohë për dy ndeshjet e radhës, kundër Izraelit dhe Austrisë. Përkundër angazhimit maksimal të stafit mjekësor dhe përpjekjeve për ta rikuperuar futbollistin, Hajdari nuk do të jetë në dispozicion të përzgjedhësit Franco Foda për këto dy ndeshje”, ka njoftuar FFK-ja.
Ndërkohë, për arsye familjare, grumbullimin e Kosovës e ka lënë përkohësisht edhe Leon Avdullahu.
“Ndërkohë, për arsye familjare, përkohësisht nga grumbullimi është liruar edhe mesfushori Leon Avdullahu. Ai do t’i bashkohet ekipit sa më shpejt që të jetë e mundur”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Federata nuk ka saktësuar nëse Avdullahu do të arrijë të rikthehet për ndeshjen ndaj Izraelit, që zhvillohet të enjten, ndonëse aktualisht paraqitja e tij mbetet në dyshim.
Mungesat e Hajdarit dhe Avdullahut janë të rëndësishme për Kosovën, pasi të dy janë startues të rregullt në formacionin e Franco Fodës.
Dy futbollistët luajnë së bashku te Hoffenheimi në Bundesligë, ku bashkëlojtar kanë edhe sulmuesin e Kosovës, Fisnik Asllani.
Pas ndeshjes me Izraelin, Kosova të dielën do të përballet sërish me Austrinë.