“Kosova me përceptimin më të vogël të qytetarëve rreth korrupsionit në rajon, këtu ndikoi edhe Qeveria”
Arton Demhasi nga organizata “Qohu”, në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka thënë se ka rënie të madhe të përceptimeve të qytetarëve rreth korrupsionit në përgjithësi. “Nëse flasim për vitin 2021, përceptimi i qytetarëve për korrupsionin ka qenë diku 20 për qind, nëse flasim për këtë vit, atëherë përceptimi i përgjithshëm për korrupsionin […]
Arton Demhasi nga organizata “Qohu”, në emisionin “Rreth e Rrotull” në RTV Dukagjini, ka thënë se ka rënie të madhe të përceptimeve të qytetarëve rreth korrupsionit në përgjithësi.
“Nëse flasim për vitin 2021, përceptimi i qytetarëve për korrupsionin ka qenë diku 20 për qind, nëse flasim për këtë vit, atëherë përceptimi i përgjithshëm për korrupsionin ka rënë nën 10 për qind. Kosova është me përceptimin më të vogël në rajon”, ka thënë Demhasi.
Demhasi ka thënë se kjo e gjetur është bërë në kuadër të një hulumtimi që mbështetet nga Bashkimi Evropian (BE). Sipas tij, ky është një projekt rajonal për shtatë shtete të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Bullgarinë, Maqedoninë e Veriut, Serbinë, Shqipërinë, Malin e Zi, Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Kosovën.
Pas Kosovës, përceptimi i ulët i qytetarëve për korrupsion pason në Mal të Zi, Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi, Maqedoni të Veriut dhe Shqipëri, e që kjo e fundit është në nivelin më të lartë sa i përket kësaj çështjeje që përfshin edhe 50 për qindëshin.
“Rënia e përceptimit të qytetarëve për korrupsionin mendoj që lidhet pak edhe me qeverinë. Për faktin që zgjedhjet e fundit parlamentare kemi pasur diku 50.02 për qind të qytetarëve që kanë votuar partinë që është në pushtet, kjo reflekton që ata votues ose qytetarë që votuan partinë në pushtet të kenë një përceptim më të ulët sa i përket korrupsionit në institucionet e vendit. Kjo besoj që është arsyeja pse kemi një rënie të tillë të përceptimit të korrupsionit në Kosovë”, ka thënë tutje Demhasi.
Ai ka shtuar se nuk ka ndodhur “diçka e madhe në shoqërinë tonë”.
“Këtu janë pak të çuditshme të dhënat sepse nëse flasim për përceptimin e përgjithshëm ka rënie, por kur për secilën fushë, për prokurorët, deputetët, ministrat, kryetarët e komunave, prapë përqindja sillet rreth 50 për qind që qytetarët mendojnë se disa apo shumica prej tyre janë të korruptuar…Nëse flasim për ministrat diku rreth 60 për qind ku qytetarët deklarohen se një pjesë ose shumica e ministrave janë të korruptuar. Njëjtë është edhe për deputetë, kryetar komunash, pak a shumë është njëjtë edhe për profesorët, doktorët, zyrtarët komunalë, doganierët, zyrtarët e ATK-së. Përafërsisht, përceptimi mbetet si ka qenë më herët, vetëm përceptimi i përgjithshëm ka ndryshuar”, ka shtuar Demhasi.
Demhasi nga organizata “Qohu” bazuar në këtë hulumtim ka treguar se përqindje shumë e madhe e qytetarëve të Kosovës mendojnë se mësuesit janë më pak të korruptuar.















