Kosova ndalon importin e mishit të pulës nga Brazili
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar se duke nisur nga e marta, 20 maj, ndalohet përkohësisht importi i mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve që vijnë nga Brazili. Ky vendim është marrë pas shpërthimit të gripit të shpendëve në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, rast i […]
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), ka njoftuar se duke nisur nga e marta, 20 maj, ndalohet përkohësisht importi i mishit të pulës dhe produkteve të tjera të shpendëve që vijnë nga Brazili.
Ky vendim është marrë pas shpërthimit të gripit të shpendëve në një fermë komerciale në shtetin Rio Grande të Brazilit, rast i konfirmuar më 16 maj nga autoritetet braziliane.
Sipas AUV-it, ndalimi është një masë parandaluese për të mbrojtur shëndetin publik dhe për të shmangur përhapjen e mundshme të sëmundjes në Kosovë.
“Gripi i shpendëve është një sëmundje virale shumë ngjitëse që prek shpendët dhe, në raste të rralla, mund të transmetohet edhe te njerëzit. Megjithëse nuk ka prova që konsumimi i mishit apo vezëve të shpendëve mund të shkaktojë infeksion, mirëpo ndalimi i importit është një masë paraprake për të garantuar sigurinë ushqimore të qytetarëve”, thuhet në njoftimin e AUV-it.
Vendimi i Kosovës është në përputhje me masat e ngjashme që tashmë janë ndërmarrë nga Bashkimi Evropian, Kina dhe disa vende të tjera që kanë pezulluar importet nga Brazili.
Ndalimi do të mbetet në fuqi deri në një njoftim të dytë, varësisht nga zhvillimet epidemiologjike në Brazil dhe rivlerësimi i rrezikut nga AUV-i.















