Kosova në pritje të përgjigjes për nisjen e gërmimeve në lokacione të reja në Serbi

Qeveria e Kosovës po pret përgjigje nga pala serbe për të nisur gërmimet në Serbi, për zbulimin e mbetjeve mortore nga lufta në Kosovë.

Derisa ende nuk dihet për fatin e mbi një mijë e 600 personave të zhdukur, udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka thënë se, në Serbi janë tri apo katër lokacione në të cilat pritet të bëhen gërmime.

Lidhur me këtë, ai ka theksuar se, komisioni veçse i ka dërguar shkresat te partnerët ndëkombëtarë për lejimin e gërmimeve në Serbi.

“Janë të paktën tri apo katër lokacione nëpër të cilat ne tashmë i kemi dorëzuar shkresat zyrtare, dhe janë të shënjuara dhe po presim që të kemi një koordinim me partnerët ndërkombëtarë”, ka thënë Gara.

Sipas tij, sfiduese mbesin lokacionet në territorin e Serbisë.

Ai ka theksuar se, kërkesat e vazhdueshme të tyre ndaj partnerëve ndërkombëtarë janë që të shtohet presioni mbi palën serbe që të kenë datat se kur mund të zhvillohen gërmimet atje.

“Për shtetin e Serbisë kërkesat tona janë të vazhdueshme, jo vetëm kërkesat, por, bashkëpunimi me partnerët ndërkombëtarë është i vazhdueshëm që të shtohet presioni ndaj palës serbe që të kemi sa më parë datat për fillimin e gërmimeve”.

Ai në një intervistë për agjencinë e lajmeve Kosovapress, ka thënë se, gjatë vitit 2021, është punuar në nëntë lokacione të ndryshme, në të cilat edhe janë zhvarrosur dy trupa.

“Po bëjmë përpjekje që gjatë këtij viti të ketë një dinamikë të shtuar në këtë proces”, ka thënë Gara.

Sipas tij, përveç komisionit, edhe institucionet e tjera kompetente janë duke u angazhuar.

“Edhe institucionet e tjera kompetente të Kosovës, gjykata kompetente që të kemi një dinamik të shtuar në proces ose të intensifikojmë angazhimin e përbashkët që të gjitha lokacionet e mundura të Kosovës të trajtohen dhe të procedohen në kuptimin vlerësues”, ka shtuar ai.

Ndryshe, eshtrat e viktimave të masakrës së Rrezallës të zhvarrosura nga varrezat masive në Kizhevak të Serbisë, janë riatdhesuar në Kosovë më 30 shtator të vitit 2021.

Komisioni, përmes një postimi në faqen zyrtare, ka njoftuar se eshtrat e zhvarrosura në këtë vend, i përkasin shtatë identifikimeve të reja nga masakra e Rrezallës.

“Bazuar në raportet e identifikimit, eshtrat e zhvarrosura në Kizhevak iu përkasin shtatë identifikimeve të reja të nga masakra e Rrezallës si dhe dy ribashkimeve me eshtrat e zhvarrosura vite më parë nga varreza masive në Rudnicë, të Rashkës, Serbi”, thuhej në njoftim.

Ndërkohë, ish-drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore të Kosovës, Arsim Gërxhaliu, kishte deklaruar se, serbët kanë përdoruar minierat për të humbur gjurmët e krimeve, siç ishte edhe rasti me Kizhevakun apo Rudnicën.

Ndërkaq, gjatë luftës së fundit në Kosovë, janë vrarë rreth 13 mijë e 500 persona.

Prej këtyre viktimave, 76 për qind besohet se ishin civilë. Kurse, për nga përkatësia etnike, 10 mijë e 794 janë shqiptarë, dy mijë e 197 serbë, kurse të tjerët u përkasin përkatësive të tjera etnike.

Një plagë tjetër e luftës janë edhe rreth një mijë e 600 persona të pagjetur, kryesisht shqiptarë.

Në përfundim të misionit të tij, Tribunali Ndërkombëtar për Krime Lufte në ish-Jugosllavi, kishte rekomanduar që vendet e ish-Jugosllavisë, në të cilat përfshihej edhe Kosova, t’i hetojnë dhe t’i trajtojnë krimet që janë kryer në territorin e këtyre vendeve.

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika