Ministri i Infrastrukturës, Librun Aliu, ka bërë të ditur se me ftesë të Qeverisë gjermane dhe ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Anna Baerbock, Kosova do të marrë pjesë në Konferencën e Anëtarëve COP27.

Ai bëri të ditur se do të zhvillohen takime bilaterale lidhur me financimet e mundshme për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe implementimin e Marrëveshjes së Parisit.

“Me ftesë të Qeverisë Gjermane dhe Ministres së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, znj. Anna Baerbock, 🇩🇪 do të marrim pjesë në Konferencën e Anëtarëve (COP27), me ç’rast do të zhvillojmë takime bilaterale lidhur me financimet e mundshme për adaptimin ndaj ndryshimeve klimatike dhe implementimin e Marrëveshjes së Parisit”, ka shkruar Aliu në Facebook.

Ai ka theksuar se pasi Kosova është i vetmi shtet që nuk ka qasje direkte në fondet multilaterale të OKB-së.

Aliu bëri të ditur se me datë 18 nëntor në hapësirat e Pavilionit Gjerman në Egjipt, do të prezantojë agjendën kosovare.

“Pasi që mbetemi i vetmi shtet pa qasje direkte në fondet multilaterale të OKB-së, me datë 18 Nëntor, në hapësirat e Pavilionit Gjerman në Egjipt, do të prezantojmë agjendën tonë që ka të bëjë me nevojat për investime në përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe synimet tona për dekarbonizimin”, ka shtuar Aliu.

Aliu tha se qëllimi i pjesëmarrjes së Kosovës është anëtarësimi në Konventën për Ndryshime Klimatike të OKB-së.

“Qëllimi final i pjesëmarrjes tonë është që të anëtarësohemi në Konventën për Ndryshime Klimatike të Kombeve të Bashkuara (UNFCCC), rrjedhimisht Kosova të ketë mundësinë që të negocioj dhe të ketë qasje në fonde për ndryshime klimatike”, ka thënë Aliu.