Kosova “po izolohet”

Me refuzimin e pjesëmarrjes së Kosovës në iniciativën rajonale “Ballkani i Hapur”, njohësit e çështjeve politike po konsiderojnë se Kosova po izolohet. Sipas tyre, ajo nuk duhet të mbetet e vetme në rajon, por duhet të kooperojë me kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës

Ilustrim

Iniciativa “Ballkani i Hapur”, duhet të shihet nga perspektiva strategjike e pozicionimit të Kosovës në nismat rajonale, nga perspektiva ekonomike e interesit të zgjerimit të tregut dhe nga ajo politike e afirmimit të shtetësisë.

Kosova po bën gabim që po e refuzon pjesëmarrjen në këtë ide rajonale.

Kështu ka thënë drejtori ekzekutiv i Institutit për Politika Sociale “Musine Kokalari”, Visar Ymeri, për Portali D, teksa ka vlerësuar se do të ishte shumë më mirë që Kosova të bëhet pjesë që nga fillimi, në mënyrë që të ketë zërin e saj në cilësinë e marrëveshjeve që arrihen.

“Nëse bëhemi pjesë në gjysmë të procesit, atëherë do të detyrohemi që marrëveshjet e arritura t’i pranojmë ashtu siç janë, dhe të mos kemi mundësi t’i shtyjmë disa prej interesave tona përpara”, ka thënë ai.

Visar Ymeri, analist

Numri i vendeve të interesuara për t’u bërë pjesë e kësaj nisme po rritet. Në Ohër, në cilësinë e vëzhguesve kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës. Me kryeministrin e ri, Mali i Zi, sipas Ymerit, duket të jetë afër marrjes së vendimit për anëtarësim.

“Kosova nuk mundet dhe nuk duhet të mbetet e vetme në rajon”, shtoi ai.

Të këtij mendimi janë edhe politologu Belul Beqaj dhe njohësi i zhvillimeve politike, Abit Hoxha. Sipas tyre, Kosova duhet t’i bashkangjitet një iniciative të tillë.

Me pjesëmarrjen e Malit të Zi dhe Bosnjë dhe Hercegovinës në samit, “Kosova po izolohet”.

Teksa ka komentuar ndryshimin e qëndrimit të Malit të Zi, politologu Beqaj ka thënë se “politika është veprimtari dinamike, ndërsa politikbërësit janë statikë”.

“Nuk mjafton vetëm të themi-jo. Duhet të jemi në korrent me arsyet e ndryshimeve që po ndodhin në regjion me ndikimin gjithnjë e më të dukshëm të SHBA-ve”, ka thënë Beqaj për Portali D.

Belul Beqaj – politolog

Sipas tij, Kosova duhet të kooperojë me kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“Çdo sjellje tjetër është jo reale dhe e dëmshme”, ka shtuar ai.

“Kosova nuk ka perspektivë si shtet i izoluar, prandaj politikbërësit duhet të lëvizin në përputhje me kërkesat dhe interesat e qarta të shtetit të cilat mbështeten nga partneri ynë strategjik –SHBA”, ka thënë Beqaj.

Bekimi i SHBA-së – garancion

Teksa ka komentuar përkrahjen e SHBA-së ndaj “Ballkanit të Hapur”, Abit Hoxha ka thënë se kjo mbështetje është e mirë për regjionin.

“Kosova duhet t’iu besoj pak më tepër partnerëve ndërkombëtarë dhe shteteve mike në regjion. Në këtë iniciativë, janë Shqipëria, Maqedonia dhe Mali i Zi si shtetet më mike që ka Kosova në Ballkan dhe bekimi i SHBA-së, duhet të jetë një lloj garancioni. Me mospërfshirje, Kosova po e izolon veten”, ka thënë Hoxha për Portali D.

Procesi “i ngecur” i Berlinit

Mospjesëmarrjen në samit e kishte pohuar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e kishte njoftuar kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, se refuzon pjesëmarrjen në këtë takim, pasi, siç ka thënë ai, Kosova mbetet e angazhuar në Procesin e Berlinit.

Nga ideatorët dhe promovuesit e Ballkanit të Hapur, kjo nismë është përshpejtim i Procesit të Berlinit dhe e ka qëllimin e njëjtë me të.

Por, i njëjti proces cilësohet si “i ngecur”.

“Me përjashtim të marrëveshjes për heqjen e tarifave roaming mes vendeve, asnjë marrëveshje tjetër në kuadër të katër lirive nuk është avancuar. Marrëveshja për lëvizjen e lirë të njerëzve ishte shumë afër përfundimit dhe ajo pastaj ngeci”, ka thënë Ymeri.

Stagnimin e Procesit të Berlinit e ka pranuar edhe Abit Hoxha.

Njohësi i zhvillimeve politike, Abit Hoxha

“Procesi i Berlinit ka stagnuar për më tepër se një dekadë dhe pothuajse po dështon. Prandaj duhet një çasje e re të rikthejë dinamikën e bashkëpunimit regjional”, ka thënë ai.

“Lavrovët i kanë arsyet e veta”

Ndërkaq, lidhur me deklaratën e ministrit të punëve të Jashtme të Rusisë, Sergey Lavrov, i cili kishte thënë se Rusia e përkrah “Ballkanin e Hapur” duke e quajtur si iniciativë të Serbisë, politologu Beqaj ka thënë se “nuk duhet të alarmohemi sa herë që dëgjojmë diçka nga Rusia”.

“Duhet të analizojmë përmbajtjen e çdo iniciative dhe të mos paragjykojmë përmbajtjen e iniciuesve nga forma dhe vendi. ‘Lavrovët’, i kanë arsyet e veta, politikbërësit e Kosovës duhet të jenë të qartë dhe konkret për t’i mbrojtur interesat tona shtetërore, duke respektuar para së gjithash kërkesat e miqve të dëshmuar e jo të kundërshtarëve politik”, ka thënë Beqaj.

Historiku i “Open Balkan”

Nisma “Ballkani i Hapur”, është inicuar nga krerët e tri shteteve fqinje, të Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në tetor të vitit 2019.

Ideja rajonale, që fillimisht është quajtur “Mini-Shengen”, sipas iniciuesve të saj, parasheh lëvizje të lirë të kapitalit, mallrave, shërbimeve dhe njerëzve midis të tria vendeve.

Në kuadër të kësaj nisme, tri shtete fqinje kanë arritur një sërë marrëveshjesh, që thuhet se kanë për qëllim përmirësimin e bashkëpunimit rajonal.

Ato përfshijnë lëvizjen e qytetarëve të tyre me letërnjoftime, bashkëpunim në lehtësimin e importit dhe eksportit të mallrave si dhe një memorandum mirëkuptimi dhe bashkëpunimi për qasje të lirë në tregun e punës.

Udhëheqësit e tri shteteve kanë planifikuar që gradualisht të krijojnë edhe një treg të përbashkët për 12 milionë banorë – aq sa kanë të tria vendet bashkë.

Ndërkaq, nga një janari i vitit 2023, është rënë dakord që edhe kontrollet kufitare midis Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të hiqen.

Përfaqësuesit e tri vendeve pritet të nënshkruajnë disa marrëveshje të reja.

Open Balkan

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika