Kosova po mbushet me qytetarë të Bangladeshit, asnjë termin i lirë për viza
Edhe pse shumë larg me kilometra, punëtorët aziatikë, posaçërisht qytetarë nga Bangladeshi, ia kanë mësyer me të madhe Kosovës për të punuar në sektorin privat, saqë nuk po arrijnë të procedohen aplikimet që nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti. KALLXO.com ka pranuar disa komunikime ndërmjet qytetarëve të interesuar […]
Edhe pse shumë larg me kilometra, punëtorët aziatikë, posaçërisht qytetarë nga Bangladeshi, ia kanë mësyer me të madhe Kosovës për të punuar në sektorin privat, saqë nuk po arrijnë të procedohen aplikimet që nga muaji nëntor i vitit të kaluar deri në mars të këtij viti.
KALLXO.com ka pranuar disa komunikime ndërmjet qytetarëve të interesuar dhe Ambasadës së Kosovës në Bangladesh, ku këta të fundit janë përgjigjur se janë detyruar të shtyjnë fillimin e marrjes së aplikimeve të reja për viza punësimi për kategorinë “D’’ deri në mars.

“Ne parashikojmë që në fillim të marsit të fillojmë me procedurën e re të vizave, duke përfshirë listën e dokumenteve të reja dhe udhëzimet e reja”- shkruan në përgjigjen që ia ka kthyer Ambasada një ndërmarrësi të interesuar nga Kosova që të punësojë punëtorë nga Bangladeshi.
Të njëjtit aplikues, në nëntor, Ambasada fillimisht i kishte kthyer përgjigje që nuk mund t’ia pranojë kërkesën për termin për aplikim pune, pasi Ambasada nuk ka termine të lira deri mbas 25 janarit.
Bazuar në përgjigjen e Ambasadës, ata kishin thënë që në fillim të janarit do të lëshojnë një njoftim të ri me procedura të reja, më efikase dhe më të shpejta aplikimi, të cilat do të përmisiojnë procedurën e aplikimit dhe dukshëm të shkurtojnë kohën e përgjigjeve.

Megjithatë, një gjë e tillë akoma nuk është publikuar në faqen e misionit diplomatik në Bangladesh.
E, as vetë Ambasada dhe Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e KALLXO.com në lidhje me këtë çështje, pavarësisht këmbënguljes.















