Kosova pritet të vizitohet nga pesë diplomatë të fuqishëm ndërkombëtarë

E premtja e 20 janarit pritet të jetë një ditë dinamike për shkak të vizitës së pesë ndërkombëtarëve, të cilët pritet të takohen me krerët e shtetit

Përfaqësues të lartë të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës pritet ta vizitojnë të premten Prishtinën.

Kështu ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, në një konferencë për media, ku e ka konfirmuar vizitën e këtij delegacioni në Kosovë dhe Serbi.

I dërguari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar, i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak, këshilltarët për politikë të jashtme dhe siguri të Gjermanisë (Jens Plettner), të Francës (Emmanuel Bonne) dhe të Italisë, pritet të jenë në Kosovë.

“Vizitat e përfaqësuesve tanë njoftohen nga institucionet e BE-së. Vërtet emisari Lajçak do të udhëtojë këtë javë në rajon, që është në kuadër të tentimeve për ta avancuar dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Lajçaku do ta vizitojë Kosovën e Serbinë këtë të premte”, ka thënë Stano.

Peter Stano

Sipas tij, në Prishtinë do të takohen me kryeministrin Albin Kurti e në Beograd me presidentin Aleksandar Vuçiq, me të cilët, do të diskutohen hapat e ardhshëm në normalizimin të marrëdhënieve mes Kosovës e Serbisë.

“Në këtë vizitë, emisari Lajçak do të përcillet nga këshilltarët për politikë të jashtme të presidentit të Francës, kancelarit të Gjermanisë dhe kryeministrit të Italisë, si dhe nga zv. sekretari amerikan, Gabriel Escobar”, tha ai.

Dy të dërguarit, kohëve të fundit, kanë vepruar bashkërisht me qëllim që t’i rrisin gjasat për sukses në dialog. Në Bruksel, disa herë kanë thënë se angazhimi i përbashkët BE-SHBA është treguar i dobishëm për t’i bindur palët që t’i ulin tensionet, shkruan REL.

Escobar dhe Lajçak, më 9 janar, janë takuar me ambasadorët e shteteve të NATO-s, me të cilët, kanë biseduar për situatën në Kosovë dhe rajon, dhe kanë paraqitur para tyre edhe planet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi, i cili ndërmjetësohet nga blloku evropian.

Burimet diplomatike në Bruksel kanë paralajmëruar se Kosovën dhe Serbinë së shpejti do ta vizitojë edhe i dërguari i posaçëm i Francës, Emmanuel Bonne dhe ai i Gjermanisë, Jens Plotner, por aktualisht nuk është saktësuar nëse këta dy diplomatë do ta shoqërojnë Escobarin dhe Lajçakun.

Megjithatë, sipas burimeve, tashmë është arritur një pajtim i gjerë për ta mbështetur propozimin franko- gjerman për një marrëveshje bazë mes Kosovës dhe Serbisë. Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, ka thënë se ky propozim është “propozim evropian”, i cili ka mbështetjen e të gjitha shteteve të BE-së. Këtë plan e përkrah edhe SHBA-ja.

Sipas burimeve në Bruksel, gjatë takimeve që Escobar dhe Lajçak do të kenë në Prishtinë dhe Beograd, fokusi kryesor do të jetë propozimi për një marrëveshje bazë dhe për organizimin e takimeve në nivel të lartë në dialog sa më shpejt që të jetë e mundur, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për këtë propozim.

Sa i përket një takimi të ri mes bartësve të dialogut, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, diplomatët në Bruksel nuk kanë përmendur ndonjë datë, por kanë thënë se “po punohet që kjo të ndodhë sa më shpejt që të jetë e mundur dhe kjo varet nga vullneti i të dyja palëve dhe gatishmëria e tyre për të arritur rezultate konkrete”.

Synimi i bllokut evropian është që takimi Kurti-Vuçiq të ndodhë para fundit të muajit janar.

Herën e fundit që Kurti dhe Vuçiq kanë zhvilluar rund bisedimesh ishte më 21 nëntor të vitit 2022.

Ndërkaq, temë e diskutimeve gjatë vizitës së Escobarit dhe Lajçakut pritet të jenë edhe tensionet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë – që mbajtën të bllokuar për 20 ditë veriun e Kosovës në fundin e vitit 2022 – dhe zbatimi i marrëveshjeve të arritura në dialog.

Kosova është nën presion që të nisë punën për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, që sipas SHBA-së dhe BE-së, është obligim i Prishtinës.

Gjatë një vizite në Prishtinë më 11 janar, këshilltari i lartë i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, tha se “Kosova duhet t’i përmbushë të gjitha zotimet në kuadër të dialogut, përfshirë edhe formimin e Asociacionin e komunave me shumicë serbe” dhe se presin nga “Qeveria e Kosovës të vendosë disa propozime në tryezë”.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015. Por, kryeministri Kurti ka shprehur qëndrimin se është kundër një asociacioni njëetnik. Megjithatë, së fundmi ai nuk ka përjashtuar mundësinë që Asociacioni të diskutohet në kuadër të një marrëveshjeje finale për normalizimin e raporteve.

Kosova dhe Serbia zhvillojnë dialog me ndërmjetësimin e BE-së që nga viti 2011. Prishtina kërkon që një marrëveshje finale me Serbinë, të përfshijë njohjen reciproke, ndërkaq Beogradi dëshiron një zgjidhje kompromisi, pa treguar se për çfarë kompromisi bëhet fjalë.

 

Shija e redaktorit

Presidentja Osmani nderohet me Çmimin e Evropës nga Fondacioni Pan-Europian

Fondacioni Fondacioni Pan-Evropian Richard Coudenhove-Kalergi i ka ndarë Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, çmimin e ‘Evropës’, për përkushtimin e saj ndaj raporteve me partnerët...

Nis ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë...

Ka filluar ceremonia e diplomimit të gjeneratës së 59-të të Policisë së Kosovës. Sot diplomojnë 445 kadetë të Policisë së Kosovës. Kryeministri i Republikës së Kosovës,...

Policia konfirmon arrestimin e Akil Gjakovës

Policia e Kosovës, ka arrestuar xhudistin Akil Gjakova, si të dyshuar për veprën penale dhunë në familje. Lajmin për Portalin Dukagjini e ka konfirmuar zëdhënësi...

Të fundit nga rubrika