Kosova renditet e dyta më e varfër në Evropë

Sipas një publikimi të platformës WorldAtlas, e cila përdor të dhëna të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Kosova renditet si vendi i dytë më i varfër në Evropë për vitin 2025, menjëherë pas Moldavisë.

Matja është bërë mbi bazën e GDP-së për kokë banori sipas barazisë së fuqisë blerëse (PPP), të dhëna të marra nga World Economic Outlook i FMN-së (publikimi i tetorit 2025, me vlerësime për vitin 2025).

Në këtë renditje, Ukraina përfshihet gjithashtu ndër vendet më të varfra të kontinentit, e ndikuar nga pasojat ekonomike të luftës pas pushtimit rus në vitin 2022. Megjithatë, sipas listës, ajo renditet pas Kosovës.

Top 10 vendet më të varfra në Evropë (2025)

  • Moldavia – rreth 19,700 $
  • Kosova – rreth 20,400 $
  • Ukraina – rreth 21,000 $
  • Bosnja dhe Hercegovina – rreth 22,800 $
  • Maqedonia e Veriut – rreth 24,300 $
  • Bjellorusia – rreth 25,500 $
  • Shqipëria – rreth 25,600 $
  • Serbia – rreth 28,500 $
  • Mali i Zi – rreth 31,000 $
  • Bullgaria – rreth 36,000 $

Sipas përshkrimit të raportit, ekonomia e Kosovës karakterizohet nga një strukturë e vogël dhe e orientuar kryesisht në sektorin e shërbimeve. Ndërtimtaria, tregtia dhe remitencat përbëjnë pjesën kryesore të aktivitetit ekonomik.

Remitencat nga diaspora, kryesisht nga Gjermania, Zvicra dhe Austria, vlerësohen rreth 15% të GDP-së, duke e bërë Kosovën një nga vendet më të varura nga dërgesat e diasporës në botë.

Raporti thekson gjithashtu se, ndonëse Kosova ka shënuar rritje ekonomike mesatare rreth 4% në pesë vitet e fundit, papunësia e të rinjve mbetet afër 30%, ndërsa një pjesë e madhe e tyre nuk janë as në punësim, arsim apo trajnim.

Si faktorë kufizues përmenden edhe njohja e kufizuar ndërkombëtare e Kosovës dhe qasja e vështirësuar në institucione financiare ndërkombëtare, gjë që sipas raportit ndikon në investimet e huaja.

Kosova është aktualisht kandidate potenciale për anëtarësim në Bashkimin Evropian, pasi ka aplikuar për anëtarësim në dhjetor 2022.

Në të njëjtën listë, Serbia përshkruhet si ekonomia më e madhe ndër vendet e ish-Jugosllavisë, por me sfida politike, ku ndër to përmendet edhe procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën.

Të fundit nga rubrika