Kombëtarja e Kosovës në futboll (femrat) ka regjistruar një ngritje të jashtëzakonshme në ranglistën e FIFA, duke shënuar rritjen më të madhe të pikëve ndër të gjitha kombëtaret që nga publikimi i fundit më 11 dhjetor 2025.
Fitoret ndaj Bullgarisë, si dhe sukseset ndaj Gjibraltarit e Kroacisë, i kanë sjellë Kosovës një rritje prej plot 58.33 pikësh, duke e bërë këtë progresin më të madh në nivel global për këtë periudhë.
Në ranglistën e re të publikuar të martën nga FIFA, Shqipëria mban pozitën e 71-të, duke mos shënuar lëvizje përkundër rezultateve negative së fundmi.
Ndërkohë, Kroacia – të cilën Kosova e mposhti me rezultat 1:0 në Karlovac dhe me të cilën do të përballet sërish në qershor në Prishtinë – ka pësuar rënie për pesë pozita dhe aktualisht renditet e 66-ta.
Sa i përket majës së ranglistës, Spanja kryeson botën, e ndjekur nga SHBA-ja, Anglia, Gjermania dhe Japonia. Dhjetëshja e parë plotësohet nga Brazili, Franca, Suedia, Kanadaja dhe Holanda.
Në anën tjetër, përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e meshkujve renditet në vendin e 78-të në ranglistën e FIFA, që përbën gjithashtu pozitën më të mirë në histori.
Kosova aktualisht kryeson grupin e saj në Ligën C të kualifikimeve për Kupën e Botës. Edhe pse nga kjo ligë nuk sigurohet kualifikimi direkt në Botëror, vendi i parë garanton pjesëmarrjen në plejofin kualifikues, si dhe avancimin në Ligën B për ciklin e ardhshëm kualifikues.