Kosova shpreh interesim për organizimin e Lojërave Mesdhetare 2030

Komiteti Olimpik i Kosovës ka paraqitur kandidaturën që Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 të mbahen në Prishtinë

Lojërat Mesdhetare të vitit 2030 mund të organizohen në Kosovë.

Në fakt, Komiteti Olimpik i Kosovës e ka shpallur kandidaturën e organizimit të kësaj gare prestigjioze pas shtatë vjetësh nga tash.

Afati i fundit për aplikim për Lojërat Mesdhetare për vitet 2027 dhe 2030 skadoi më 31 mars dhe me këtë rast, Portugalia kandidoi për Lojërat Mesdhetare në Plazh të vitit 2027, kurse Kosova tri vjet më pas.

Lajmin e ka bërë të ditur Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare (ICMG) përmes uebfaqes së vet zyrtare.

Sipas këtij të fundit, dy Komitetet Olimpike Kombëtare duhet ta dorëzojnë dosjen e kandidaturës deri në fund të qershorit, ndërsa Komisioni Vlerësues i ICMG-së do të organizojë ndërkohë vizita inspektuese në të dy vendet, në Portugali dhe në Kosovë.

E më pas, më 8 shtator në Heraklion, gjatë asamblesë gjenerale të ISMG-së, do të vendoset për Lojërat e 21-ta Mesdhetare dhe për Lojërat e katërta Mesdhetare në Plazh.

“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare e mirëpret me kënaqësi të madhe interesimin e dy Komiteteve Olimpike, të cilët janë anëtarët më të rinj të familjes Mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e kësaj ngjarjeje, por edhe në përhapjen e idealeve dhe të vlerave të Lojërave në krejt pellgun e Mesdheut”, shkruan ICMG në uebfaqen e vet zyrtare, e cila shton se kandidaturat e Kosovës dhe të Portugalisë do të shqyrtohen me kujdes nga ekspertët dhe më pas do të vendoset nëse i plotësojnë kriteret apo jo.

Më 8 shtator, në Heraklion të Greqisë, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të ICMG-së, pritet që Kosova të zyrtarizohet si nikoqire e edicionit të 21-të të Lojërave Mesdhetare. ICMG-ja në njoftim e ka bërë punë thuajse të kryer mbajtjen e Lojërave Mesdhetare në Prishtinë.

“Komiteti Ndërkombëtar i Lojërave Mesdhetare mirëpret me shumë kënaqësi interesimin e dy Komiteteve Olimpike, që janë anëtaret më të reja të familjes mesdhetare. Përkushtimi i tyre kontribuon në zhvillimin e mëtejmë të ngjarjes, por edhe përhapjen e vlerave dhe idealeve të Lojërave në gjithë pellgun e Mesdheut”, shkruan tutje në njoftim.

Pjesë e ICMG-së janë vende si Shqipëria, Algjeria, Andorra, Bosnjë-Hercegovina, Kroacia, Qipro, Egjipti, Franca, Greqia, Italia, Kosova, Libani, Libia, Malta, Monaco, Mali i Zi, Maroku, Maqedonia e Veriut, Portugalia, San Marino, Serbia, Sllovenia, Spanja, Siria, Tunizia dhe Turqia. Pra, plot 26 shtete. Një pjesë e këtyre vendeve nuk e njohin shtetin e Kosovës dhe mbetet të shihet nëse kjo do të paraqesë problem për të fituar të drejtën e organizimit të Lojërave Mesdhetare.

Organizimi i kësaj ngjarjeje kërkon investim të madh, milionësh, ndërsa përfitimi më i madh pritet të jetë në përmirësimin e infrastrukturës sportive në vend.

Në Lojërat Mesdhetare garojnë sportistë të vendeve që kanë dalje në detin Mesdhe, apo që janë afër tij gjeografikisht. Lojërat e para Mesdhetare janë mbajtur në Aleksandri të Egjiptit, në vitin 1951. Deri më tani janë mbajtur 19 edicione të Lojërave Mesdhetare.

Italia e Franca janë vendet më të suksesshme në këtë ngjarje. Në pesë edicionet e fundit sportistët e Italisë fituan numrin më të madh të medaljeve.

Pranimi i Kosovës në ICMG nuk ishte proces i thjeshtë dhe i lehtë. Por, pozita e Kosovës në këtë organizatë është përmirësuar me kalimin e kohës dhe rrjedhimisht erdhi edhe oferta për të organizuar ngjarjen e madhe. Po ashtu, pjesëmarrja në Tarragona nuk kaloi pa telashe për Kosovën, sa i takon prezantimit.

Në Lojërat e fundit Mesdhetare, të mbajtura vjet në Oran të Algjerisë, morën pjesë 3.298 sportistë. Është garuar në 24 sporte të ndryshme, në 234 ngjarje gjithsej. Në disa sporte paraqiten më të mirët e 26 vendeve pjesëmarrëse. Në disa të tjera konkurrenca është më e zbehtë.

Në programin e Lojërave Mesdhetare aktualisht janë sporte si: noti, atletika, xhudoja, basketbolli, boksi, futbolli, gjimnastika, hendbolli, volejbolli, karateja, mundja e sporte të tjera.

Në vitin 2030, në Prishtinë, Kosova pritet të garojë në shumicën e sporteve të programit mesdhetar. Dhe, shpresat janë që deri atëherë medaljet nuk do të priten vetëm nga xhudoja.

Shija e redaktorit

Lansohet platforma e-Komuna, Kurti: Drejt një qeverisjeje digjitale me fokus...

Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka organizuar të premten ceremoninë e lansimit të shërbimeve të e-Komuna, e cila është pjesë e platformës shtetërore...

ASK: Në Kosovë s’ka rënie të madhe të numrit të...

Procesi i regjistrimit të popullsisë në Kosovë përfundon këtë të premte, pas fillimit të tij më 5 prill, rezultatet preliminare të të cilit pritet...

Osmani bisedon me homologun gjerman, diskuton rëndësinë e anëtarësimit të...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, të martën mbrëma ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun gjerman, Frank-Walter Steinmeier. Në një postim në rrjetin social "X",...

Të fundit nga rubrika