Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, ka reaguar ndaj deklaratave të Kryeministrit Albin Kurti për ftesën ndaj tij në lidhje me rezervat shtetërore.

Në një konferencë për media, Hajdaraj theksoi se KPK nuk komenton deklaratat politike, por ripërsëriti parimin themelor të sundimit të ligjit, sipas të cilit të gjithë janë të barabartë para ligjit.

“Sa i përket deklaratave të kryeministrit nuk i komentojmë deklaratat politike. Mund të them se kemi reaguar shpesh nga sulmet që janë bërë me deklarata politike, nuk kam çka të shtoj, jeni të njoftuar se sot kryeprokurori Isufaj ka konferencë për shtyp. Ai do të përgjigjet më në detaje, mirëpo edhe mund të shtoj, se KPK i jep mbështetjen e plot Prokurorisë Speciale në zbatimin e mandatit të plotë kushtetutës, të gjithë janë të barabartë para ligjit”, ka thënë Hajdaraj.

Kujtojmë se kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Blerim Isufaj, do të mbajë sot një konferencë për media, e cila do të fillojë në ora 13:00 në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Mes kritikave të Kurtit, kryeprokurori Isufaj mban konferencë për media

Kurti ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.

Së fundmi, respektivisht të dielën Kurti akuzoi kryeprokurorin Isufaj se po inskenon një situatë për ta kthyer intervistimin e tij në një lajm ndërkombëtar.

Kurti refuzon të shkojë në Prokurori: Qëllimi i tyre është të më bëjnë lajm ndërkombëtar

“Ky prokuror, Blerim Isufaj, është regjisori i një pamjeje ku unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri po intervistohet për një rast korrupsioni. Aty nuk thuhet që jam thirrur si dëshmitar. Ky është qëllimi i tyre”, ka deklaruar Kurti.