Mbledhja e Këshillit Prokurorial të Kosovës është përcjellë me debat lidhur me hapjen e konkursit për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Anëtari i KPK-së, Milot Krasniqi, ka propozuar që të hiqet nga rendi i ditës pika që parasheh hapjen e konkursit për këtë pozitë, duke arsyetuar se në mbledhje mungon ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, pasi i njëjti ndodhet në udhëtim jashtë Kosovës.
Sipas Krasniqit, për një çështje kaq të rëndësishme mungon edhe një analizë më e thelluar institucionale.
Ai ka ngritur dilema edhe për urgjencën e procedimit të kësaj pike, duke pyetur kryesuesin e KPK-së se pse po nxitohet në një proces që, sipas tij, është ndër më të rëndësishmit në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Megjithatë, propozimi i tij për largimin e kësaj pike nga rendi i ditës nuk ka marrë mbështetjen e nevojshme nga anëtarët e KPK-së.
Ndërkaq, kryesuesi i KPK-së, Arian Gashi, ka deklaruar se të gjithë anëtarët e Këshillit kanë qenë të njoftuar paraprakisht për mbajtjen e takimit dhe për agjendën e paraparë.