KPK-ja thotë se opinioni i Venecias spikatë pavarësinë e sistemit prokurorial të Kosovës

Të shtunën e 30 korrikut, Këshilli Prokurorial i Kosovës në një deklaratë për media ka vlerësuar qëndrimin që verifikimi të bëhet përmes mekanizmave të brendshëm. Ndërkaq ka thënë se nuk do të mbështesë e as s’do të marrë pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime kushtetues

Këshilli Prokurorial i Kosovës

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka thënë se ka analizuar Opinionin e Venecias për koncept-dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për Vetting në sistemin gjyqësor dhe prokurorial.

Këshilli Prokurorial i Kosovës ka shtuar se vlerësimet dhe propozimet e Komisionit të Venecias ofrojnë një platformë orientuese për fuqizimin e mëtutjeshëm të sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës përmes mekanizmave të brendshme të gjyqësorit.

“Opinioni i Venecias në mënyrë sistematike dhe duke tërhequr vëmendje në instrumentet ndërkombëtare të lirive dhe të drejtave të njeriut, si dhe duke shmangur praktikat e vendeve të  tjera, në vlerësimet e dhëna në këtë Opinion, spikatë pavarësinë e sistemit prokurorial të garantuar dhe mbrojtur qartësisht me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Rekomandimet e Komisionit, në mënyrë të përsëritur gjatë tërë Opinionit, bëjnë thirrje për qasje vërtet të kujdesshme sa i përket çdo iniciative, propozimi apo reforme të pamenduar dhe analizuar mirë”.

Mes tjerash në komunikatë për media theksohet se, Këshilli Prokurorial i Kosovës, duke iu referuar përgjigjes së dërguar Komisionit të Venecias për Koncept-dokumentin e Ministrisë së Drejtësisë për Vetting dhe në frymë të njëjtë me qëndrim e shprehur nga Komisioni i Venecias në Opinion e saj, vlerëson se ndërmarrja e masave dhe veprimeve të çakorduara do t’i bëjë dëm vështirë të sanueshëm tërë sistemit prokurorial dhe, rrjedhimisht, do të shkaktojë zvarritje të procedurave, të cilat pashmangshëm do t’ia pamundësojnë qytetarëve të vendit një qasje efektive në drejtësi.

Në komunikatën e KPK-së thuhet se në vend të një iniciative që rrezikon mbarëvarshmërinë e punës së sistemit prokurorial dhe zhvlerëson tërë punën dhe investimin e bërë në forcimin e sistemit prokurorial, Këshilli Prokurorial i Kosovës fton Ministrinë e Drejtësisë për intensifikim të dinamikës së punës së përbashkët për avancimin e reformave të nisura, dhe bashkë me këtë, të konceptohen nisma të reja me një qëllim të përbashkët – konsolidimin e mëtutjeshëm të sundimit të ligjit, promovimit dhe mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të qytetarëve të vendit.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, riafirmon qëndrimin dhe qasjen, e cila me këtë Opinion të Komisionit të Venecias veçse është përforcuar, se adresimi i sfidave në sistemin prokurorial dhe përmirësimi i vazhdueshëm i performancës, duhet të bëhet me anë të nismave ligjore dhe politikave zhvillimore të koordinuara mirë për t’i fuqizuar edhe më tej mekanizmat e brendshme të verifikimit, llogaridhënies, performancës dhe transparencës. Nismat e panevojshme, të pakoordinuara, me një racionalizim jo të mirëfilltë, të cilat mëtojnë ndërhyrje invazive në punën dhe pavarësinë e sistemit prokurorial nuk do të mbështeten nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.

“Këshilli Prokurorial i Kosovës, pavarësisht një pune dhe dinamike intensive të ndërmarrë në përmirësimin e përgjithshëm të performancës së sistemit prokurorial, mbetet i përkushtuar të avancojë reformat tashmë të nisura në përmirësimin e procedurave rekrutuese për prokurorë, bashkëpunëtorë profesionalë dhe personel mbështetës, rritjen e efikasitetit në menaxhimin dhe administrimin e prokurorive, zgjerimin e përdorimit të sistemeve elektronike dhe të teknologjisë së informacionit në procedura dhe intensifikim të digjitalizimit të sistemit prokurorial, rritjen e transparencës dhe llogaridhënies në punë, si dhe përforcimin e sistemit të disiplinës”.

Në komunikatë gjithashtu thuhet Këshilli Prokurorial i Kosovës, do të vazhdojë të jetë proaktiv, në rrethana të caktuara do të marrë rrol udhëheqës, në intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional, për zbatimin sa më të suksesshëm të strategjive kombëtare, si ajo për sundim të ligjit, apo marrëveshjeve, strategjive dhe zotimeve tjera të marra për të përafruar sistemin ligjor të vendit me standardet e Bashkimit Evropian.

Këshilli Prokurorial i Kosovës, nuk mbështet dhe nuk do të marrë pjesë në grupet punuese për cilëndo iniciativë për ndryshime Kushtetuese që ka për qëllim themelimin e mekanizmave jashtë sistemit prokurorial për verifikim dhe kontrolle të integritetit, pasi që kjo mund të sigurohet brenda një kohe të arsyeshme me anë të mekanizmave të brendshme të KPK-së, të cilët duhet të jenë përhershëm”.

Më tej thuhet se KPK-ja mbetet e përkushtuar dhe bashkëpunuese që ta japë kontributin e vet në iniciativat ligjore që ka për qëllim forcimin e mëtejmë të mekanizmave të brendshme të verifikimit, performancës, integritetit dhe disiplinës të sistemit prokurorial. Po ashtu, KPK-ja dëshiron të theksojë se për çdo iniciativë ligjore në funksion të fuqizimit të mekanizmave të brendshme, KPK-ja duhet të ketë rol udhëheqës që nga faza e konceptimit, zhvillimit deri në atë të finalizimit të këtyre nismave ligjore.

“KPK, ashtu siç është theksuar në Opinionin e Komisionit të Venecias, konsideron se mund të ndërmerren masa, veprime dhe reforma të cilat në mënyrë komulative do ta arrijnë qëllimin për një sistem prokurorial më efektiv, llogaridhënës dhe transparent pa e cenuar pavarësinë e institucionit. KPK-ja, dëshiron ta vë theksin në Opinionin e Komisionit të Venecias që potencon rrezikun e cenimit të pavarësisë së gjyqësorit, të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe instrumentet ndërkombëtare, në rast të ndryshimeve Kushtetuese për administrim të procesit të Vettingut në sistemin gjyqësor”.

Në komunikatër e lëshuar për media tutje thuhet se Këshilli Prokurorial do të vazhdojë reformën shumëdimensionale, e cila tashmë është reflektuar dhe ka dhënë rezultate të forta në procesin e rekrutimit të prokurorëve të rinj, vlerësimin e performancës së prokurorëve në sistem, avancimin e tyre në instanca më të larta prokuroriale dhe zbatimin e masave disiplinore për të përforcuar llogaridhënien.

Ndërsa, për propozimet dhe rekomandimet e nxjerra nga Opinioni i Venecias, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka treguar se do t’i fuzionojë në reformat e nisura si draft-dokumentin e Strategjisë së KPK-së, draft-dokumentin e digjitalizimit të prokurorive, si dhe kornizën rregullative, po ashtu në konceptimin e nismave të reja.

“Me qëllim të koordinimit më efektiv të këtyre nismave brenda institucionit, KPK-ja do të themelojë komisione ad-hoc dhe grupe punuese të cilat në punën e tyre presim mbështetjen e vazhdueshme me ekspertizë nga partnerët dhe donatorët ndërkombëtarë”, përfundon komunikata e KPK-së.

Shija e redaktorit

Dorëzimi i donacionit PET-CT, Osmani takon sekretaren e organizatës Alwaleed...

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka uruar mirëseardhje në Republikën e Kosovës, Princeshës Lamia Bint Majed Saud Alsaud, Sekretare e Përgjithshme e Alwaleed...

Zgjidhet ushtari më i mirë për vitin 2024

Këtë të premte është mbajtur ceremonia përmbyllëse e garës ndërkombëtare “Ushtari më i mirë 2024”, në Kazermën “Skënderbeu” në Komunën e Ferizajt. Tashmë janë shpallur...

Për tre muaj diaspora dërgoi mbi 284 milionë euro në...

Banka Qendrore të Kosovës (BQK) ka prezantuar të dhënat e fundit lidhur me dërgesat e mërgatës dhe të dhëna të tjera financiare për muajin...

Të fundit nga rubrika