KPM paralajmëron shqyrtimin e mbylljes së “Debat Plus”, qasja konsiderohet skandaloze

Nënkryetarja e Komisionit të Pavarur të Mediave, Drita Morina ka propozuar mbylljen e emisionit “Debat Plus” me Ermal Pandurin. Anëtarja e zgjedhur rishtazi në këtë pozitë me votat e Vetëvendosjes, propozimin e dha pikërisht pas një ankese nga një ministre e qeverisë Kurti, për një deklaratë të dhënë nga një kundërshtar politik. Avokues të së drejtës së mediave, qasjen e KPM-së, po e konsiderojnë si të ndikuar nga pushteti, dhe me qëllim të qartë, heshtjen e zërave kundër tij.

Për herë të parë, në Komisionin e Pavarur të Mediave, u përmend mbyllja e një emisioni televiziv – Debat Plus me Ermal Pandurin, që është produkt i Televizionit Dukagjini.

Kjo ide i shkoi në mendje, e pastaj edhe e tha me zë e figurë, nënkryetarja së KPM-së, Drita Morina.

“Nëqoftëse raste të tilla përsëriten, unë kam kërkesë për propozim të komisionit.. emisionit të tillë.. kjo është hera e … për  sa kohë jemi pjesë e KPM-së, deri në ndalimin e emisionit të tillë. Ky do të jetë propozimi im, por do jetë temë shqyrtimi në mbledhjen e radhës”, ka deklaruar Drita Morina, nënkryetare e KPM-së.

Propozimin e arsyetoi me deklaratat e dhëna nga mysafirët e emisionit, e jo qëndrimin editorial të tij apo televizionit.

Morina që u zgjodh anëtare e KPM-së, me votat e Vetëvendosjes në prill të këtij viti, për idenë, u nxit pikërisht pas një ankese nga anëtarja e Vetëvendosje, Artane Rizvanolli, për një deklaratë të Uran Ismailit, në emisionin e datës 5 qershor, ndonëse në studio ishte edhe Glauk Konjufca, zëvendëskryeministër e nënkryetar i VV-së.

Propozimi i Morinës, nga juristja e medias, Flutura Kusari, po konsiderohet si skandaloz.

“Për herë të parë unë dëgjova në një mbledhje të KPM-së, mundësinë e mbylljes së Debat Plus, dhe mendoj se ishte një sinqeritet nga anëtarët, se çka ndodhë nëse KPM, vazhdon me agjendë të tillë”, ka theksuarFlutura Kusari, juriste e medias.

Si e papranueshme deklarata e Morinës po konsiderohet edhe nga Asociacioni i Gazetarëve.

“Kryetari Berisha, Nënkryetarja Morina, e anëtarët tjerë, e kanë treguar qëllimin që ti dënojnë mediat. Është e rrezikshme. Natyrisht që nuk mund t’i mbyllin mediat, në vitin 2026”, ka deklaruar Xhemajl Rexha, Kryetar i Asociacionit të Gazetarëve.

Krahas këtij propozimi, KPM në mbledhjen e së mërkurës, i sanksionoi katër televizione me vërejtje.

Televizioni Dukagjini, pikërisht për ankesën e Artane Rizvanollit, në raport me deklaratën e Uran Ismailit.

Pastaj, Kanal 10, Teve1  dhe Syri Vizion, poashtu u sanksionuan me vërejtje, për transmetim të deklaratave të kryetarëve të komunave, në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

Pro secilit nga propozimet, votuan të gjithë anëtarët që ishin të pranishëm

Edhe këtë pjesë të mbledhjes, e monitoroi juristja e medias, Kusari, e cila pa hezitim, vlerëson që vendimet e komisionit ishin të varura, dhe me qëllim të qartë – mbylljen e mediave.

“Sot e monitorova komisionin e varur kundër mediave. Jam e alarmuar me çka kam pa sot. Anëtarët nuk e patën guximin me i përmend emrat e politikanëve që janë anku në komision. U trajtuan raste pa e ditë çka bëhet fjalë. Ishte tentim me i eduku moderatorët. Luajtën rolin e gjykatësit. Qëllimi i tyre është që deri në fund të vitit me i mbyllë mediat që janë kundër Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes”, ka theksuar Kusari.

Bordi i KPM-së përfshirë kryetarin Besnik Berisha, e nënkryetarja Morina, ishte zgjedhur në seancën e vonë të Kuvendit më 24 prill 2026, me votat e Lëvizjes Vetëvendosje.

Shija e redaktorit

75 vota pro, Parlamenti kalon me procedurë të përshpejtuar huanë...

Parlamenti i Shqipërisë miratoi mëngjesin e kësaj të hëne, me 75 vota pro, kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes së huasë ndërmjet Shqipërisë...

BookFest vazhdon rrugëtimin në Gjilan pas suksesit të jashtëzakonshëm në...

Pas një edicioni tejet të suksesshëm në Prishtinë, ku mijëra vizitorë krijuan një atmosferë të veçantë me diskutime frymëzuese, aktivitete të shumta dhe dashuri...

Anthony Joshua rikthehet në ring, shqiptari Kristian Prenga synon ta...

Një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror, Anthony Joshua, rikthehet këtë fundjavë në ring për t’u përballur me boksierin shqiptar Kristian Prenga,...

Të fundit nga rubrika