Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka marrë vendim, duke ndaluar alokimin e mjeteve financiare për subjektet politike parlamentare të cilat janë dënuar me gjoba nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) gjatë fushatës për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Sipas vendimit të miratuar, mjetet e ndaluara nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike do të transferohen në xhirollogarinë e PZAP-it. Kjo masë do të zbatohet në tre faza, përkatësisht në ndarjet tremujore të ardhshme të fondit për partitë politike.

“Në vazhdim të mbledhjes, KQZ mori vendim për ndalimin e mjeteve për subjektet politike parlamentare ndaj të cilave Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka shqiptuar gjoba gjatë fushatës së zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 9 shkurt 2025. Mjetet e ndaluara nga Fondi për mbështetjen e subjekteve politike do të transferohen në xhirollogarinë e PZAP-it dhe vendimi i KQZ-së do të zbatohet me tri ndalesa gjatë ndarjes së mjeteve, në tre tremujorët e ardhshëm”, thuhet në njoftim.

Kjo është hera e parë që KQZ ndërmerr një vendim të tillë në një formë të strukturuar dhe të koordinuar, që ndërlidh qartë sanksionet e PZAP-së me ndalimin e mbështetjes financiare. Vendimi shënon një precedent të rëndësishëm në përpjekjet për rritjen e transparencës financiare dhe ndëshkueshmërisë së shkeljeve në proceset zgjedhore.

Shuma e përgjithshme të gjobave që do t’u ndalohen partive, shkon gjysmë milioni euro.

Lëvizja Vetëvendosje: 212,500 euro; Partia Demokratike e Kosovës (PDK): 144,500 euro; euro; Koalicioni AAK-Nisma: 72,300 euro; Sloboda, Pravda i Opstanak: 3,500 euro – ndërkaq, nga të gjitha partitë vetëm Lidhja Demokratike e Kosovës ka paguar 65,000 euro, që i bie të ketë borxh edhe 71,600 euro.