Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se janë siguruar zyrat për Komisionet Komunale në procesin e votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave veriore.

Në mbledhjen e së premtes, KQZ-ja bëri të ditur se zyrat janë funksionale dhe se zyrtarët caktuar kanë nisur punën nga zyrat për secilën komunë në veri.

“Lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve të komunave veriore. Ndër aktivitetet që është duke u punuar ka renditur funksionalizimin e zyrave dhe ekstraktin e dytë të regjistrit qendror civil. Në kuadër të funksionalizmit të Zyrave të Komisioneve Komunale të zgjedhjeve, në komunat Leposaviq Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut tashmë zyrat janë funksionale dhe zyrtarët e caktuar në këto komuna janë vendosur dhe veprojnë nga zyrat nëpër secilën komunë”, është thënë nga KQZ-ja në mbledhjen e së premtes.

Në fillim të mbledhjes, u prezantua një raport lidhur me përgatitjet për organizimin e procesit të votimit për apo kundër largimit të kryetarëve nga funksioni në komunat Leposaviq, Zubin Potok, Zveçan dhe Mitrovicë e Veriut, që do të mbahet më 21 prill 2024.

Më 21 prill, në katër komunat në veri, Leposaviq, Zvecan, Zubin Potok e Mitrovicë e Veriut, do të mbahet votim për shkarkimin e kryetarëve joserbë.

Nëse ky proces rezulton i suksesshëm, në këto komuna do të shpallen zgjedhjet e parakohshme.

Më 6 dhjetor 2022, në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Mitrovicë të Veriut, ishin hedhur dy mjete shpërthyese, por vetëm njëra prej tyre shpërtheu.

Për shkak të sulmit ndaj zyrave të KQZ-së, ish-pjesëtari i Policisë së Kosovës, Dejan Pantiq, u arrestua më 9 dhjetor në pikën kufitare të Jarinjës.