Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar të mërkurën rekomandimin e Zyrës për ndarjen e mjeteve financiare nga Fondi për Mbështetjen e Subjekteve Politike për periudhën 1 prill – 31 dhjetor 2025.

Totali i fondeve të ndara kap vlerën prej 3,670,800 eurosh dhe do të shpërndahet për 15 subjektet politike që janë të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Sekretariatit të KQZ-së, Besnik Buzhala, bëri të ditur se përveç kësaj shume, është miratuar edhe ndarja e mjeteve shtesë në vlerë prej 106,898.31 eurosh për mbështetjen e punës së deputetëve, për legjislaturën e kaluar.

Megjithatë, ndarja e fondeve për Listën Serbe u kundërshtua nga përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në KQZ, Sami Kurteshi.

“Unë i votoj këto ndarje. Votoj kundër për Listën Serbe në çdo rast”, tha Kurteshi.

Pavarësisht këtij kundërshtimi, fondet u miratuan në tërësi, duke përfshirë edhe pjesën e dedikuar për Listën Serbe.