Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se sonte ka nisur numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve, mbi 3 mijë sosh, të cilat gjatë ditës janë sjellë në Kosovë.

Sipas tij, me përfundimin e numërimit të këtyre votave mbyllet i gjithë procesi i numërimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.

Elezi theksoi se pas përfundimit të këtij procesi, KQZ është e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar, ndërsa partitë politike kanë të drejtë ankese në PZAP brenda 48 orëve, sipas ligjit.

“Mund t’iu konfirmoj se sonte, rreth orës 20:00, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve ka filluar numërimi i pjesës së fundit të fletëvotimeve, mbi 3 mijë, që gjatë ditës janë sjellur në Kosovë. Numërimi i këtyre fletëvotiimeve shënon përfundimin e procesit të numërimit të të gjitha fletëvotimeve nga zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 28 dhjetor 2025.  Me përfundimin e numërimit të këtyre fletëvotimeve, KQZ është e gatshme për të shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme të mbajtura më 28 dhjetor. Por, sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, palët mund të parashtrojnë ndonjë ankesë në PZAP lidhur me administrimin e numërimit në QNR brenda 48 orëve nga ndodhja e shkeljes së supozuar”, ka thënë ai./EO