Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka bërë të ditur se pas përfundimit të ditës së zgjedhjeve do të nisë procesi i verifikimit dhe numërimit të votave të kandidatëve për deputetë në 38 Qendra Komunale të Numërimit (QKN).
Sipas njoftimit, fillimisht do të bëhet verifikimi i rezultateve të subjekteve politike nga formularët e plotësuar në vendvotime, para se të nisë numërimi i votave të kandidatëve.
Procesi i verifikimit dhe numërimit është planifikuar të fillojë paraditen e së hënës në 15 komuna, përfshirë Leposaviqin, Novobërdën, Obiliqin, Shtimen, Shtërpcën, Zubin Potokun, Zveçanin, Junikun, Mamushën, Hani i Elezit, Graçanicën, Ranillugun, Parteshin, Kllokotin dhe Mitrovicën e Veriut.
Ndërkaq, nga ora 16:00 e së hënës, aktivitetet do të vazhdojnë edhe në 23 komuna të tjera, përfshirë Prishtinën, Prizrenin, Pejën, Gjakovën, Gjilanin, Ferizajn, Podujevën, Vushtrrinë dhe të tjera.
KQZ ka njoftuar gjithashtu se në orën 16:30 do të mbahet konferencë për media në QKN “1 Tetori” në Prishtinë, ku do të jepen detaje për fillimin e procesit të verifikimit dhe numërimit në të gjitha komunat.