Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dalë me një komunikatë, ku i ka njoftuar qytetarët me të drejtë për në zgjedhjet e 23 prillit, se ku mund të votojnë në katër komunat veriore të Kosovës.

“Prishtinë, 16 prill 2023 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njofton të gjithë qytetarët me të drejtë vote në katër komunat e Republikës së Kosovës: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok, se përmes makinës kërkuese të KQZ-së, mund ta gjeni qendrën tuaj të votimit në zgjedhjet e 23 prillit”, thuhet në komunikatën e KQZ-së.

Sipas njoftimit të KQZ-së, për ta ditur se ku mund të votojnë është shumë e lehtë, sepse vetëm një kërkim duke dhënë numrin personal në vegzën direkte: https://eomp.kqz-ks.org/, qytetarët mund ta dinë se në cilin vendvotim mund të votojnë.

“Në këtë makinë kërkuese janë përditësuar të dhënat e listës votuese, në përputhje me vendimin e KQZ-së për miratimin e listës së qendrave të votimit dhe lokacionet e tyre, i datës 14 prill 2023. Sipas këtij vendimi, numri i përgjithshëm i qendrave të votimit në këto katër komuna është 19 me gjithsej 34 vendvotime, prej tyre 6 janë qendra votimi të rregullta me gjithsej 6 vendvotime, ndërsa 13 qendra të tjera votimi janë alternative me gjithsej 28 vendvotime”, thuhet në njoftimin e KQZ-së.