Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka njoftuar se procesi i numërimit të votave për zgjedhjet e 9 shkurtit ka filluar edhe në disa Qendra Komunale të Numërimit (QKN) në Kosovë. Numërimi në disa komuna ka filluar të mekurën në orën 16:00, si Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skenderaj, Shtërpcë, Viti, Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut, ndërsa në Hanin e Elezit ka filluar që nga ora 13:00.

Procesi i numërimit për kandidatët për deputetë dhe verifikimi i votave të subjekteve politike ka nisur që më 11 shkurt në Qendrat Komunale të Numërimit në Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh.

“Procesin e numërimit të votave për deputetë dhe verifikimin e votave të subjekteve politike, e kemi filluar gjatë ditës së martë, në qendrat komunale të numërimit në komunat Prishtinë, Lipjan, Obiliq dhe Partesh. Gjatë ditës së sotme, e mërkurë në orën 16:00 është planifikuar të filloj procesi i numërimit në qendrat komunale të numërimit në komunat Deçan, Gjakovë, Drenas, Gjilan, Fushë Kosovë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Skënderaj, Shtërpcë, Viti Ranillug, Kllokot dhe Mitrovicë e Veriut”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi.

Elezi ka deklaruar se procesi i numërimit mund të marrë më shumë kohë, për shkak të numrit të lartë të kandidatëve që votuesit kishin për të zgjedhur – deri në 10 kandidatë.

Ai po ashtu ka theksuar se KQZ po angazhohet maksimalisht për të përmbyllur procesin në kohën më të shpejtë të mundshme, duke ruajtur gjithashtu saktësinë e numërimit dhe verifikimit të votave, përfshirë ato nga diaspora dhe personat me nevoja të veçanta.

Përveç numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, pas numërimit të votave për subjektet politike, do të bëhet një verifikim i detajuar i votave nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime.

“Në Qendrat Komunale të Numërimit, përveç procesit të numërimit të votave të kandidatëve për deputetë, do të bëhet verifikimi i votave të subjekteve politike nga formularët të cilët janë plotësuar në vendvotime pas numërimit të votave për subjektet politike. Ky verifikim është paraparë me aktet nënligjore që janë miratuar nga KQZ qysh para shpalljes së datës së zgjedhjeve dhe sigurisht se kjo do të heq të gjitha dilemat që janë krijuar gjatë problemeve në publikimin e rezultateve preliminare për subjektet politike”, ka shtuar Elezi.