Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), ka përmbyllur procesin e vlerësimit të pakove të supozuara me fletëvotime nga votimi me postë nga diaspora.
Sipas njoftimit të KQZ-së, në këtë proces janë përfshirë gjithsej 85,790 pako, prej të cilave janë aprovuar 82,809, ndërsa janë refuzuar 2,981.
Arsyeja kryesore e refuzimit të pakove ka qenë mungesa e dëftesës së regjistrimit në 2,552 raste.
Ndër shkaqet e tjera përfshihen dërgimi i më shumë se një fletëvotimi në një pako, dërgimi nga shtet i ndryshëm nga ai i regjistrimit, mungesa e fletëvotimit, mungesa e vulës postare, si dhe raste të zarfeve të dërguara gabimisht.
“Arsyeja më e shprehur se përse janë refuzuar këto pako është sepse në 2,552 raste mungon dëftesa e regjistrimit, një dokument me të dhëna unike, që votuesi i regjistruar e pranon nga KQZ. Po ashtu, arsyet e tjera, më pak të shprehura, lidhen me rastet kur në një pako janë përfshirë më shumë se një fletëvotim ose më shumë se një person (322), kur votuesi ka dërguar pakon nga një shtet tjetër nga ai ku ishte regjistruar për votim (23), kur në pako është gjetur vetëm dëftesa e regjistrimit pa fletëvotim (32), kur ka munguar pulla apo vula postare (5), si dhe me kur fletëvotimi është shtypur (1). Sipas të dhënave të KQZ-së, janë evidentuar edhe zarfe të dërguara gabimisht (46)”, thuhet në njoftim.
KQZ ka bërë të ditur se votimi me postë është zhvilluar nga 21 maji deri më 6 qershor, ndërsa për votim janë regjistruar rreth 105 mijë shtetas të Kosovës jashtë vendit.
Ndërkohë, në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve po vazhdon procesi i numërimit të fletëvotimeve nga diaspora, ku deri më tani janë numëruar 60 kuti votimi.