Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka pranuar kërkesat e kryesuesve të Kuvendeve Komunale në Leposaviq, Mitrovicë të Veriut dhe Zubin Potok për procedurën e largimit të kryetarit të komunës.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur këtë të mërkurë se këto kërkesa janë pranuar dhe janë në proces të trajtimit.

Sipas Elezit, kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ-ja informatat zyrtare lidhur me anëtarët e grupit iniciues dhe numrin aktual të votuesve të regjistruar në komunat e tyre.

Ata gjithashtu kërkojnë përllogaritjen e numrit minimal të nënshkrimeve në bazë të votuesve për procedurën e largimit.

“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka pranuar në adresën zyrtare tri kërkesa të ndara nga kryesuesit e Kuvendeve Komunale për Leposaviq, Mitrovicë e Veriut dhe Zubin Potok. Përmbajtja e këtyre tri kërkesave është e njëjtë. Së pari, të tre kryesuesit e Kuvendeve Komunale kanë kërkuar nga KQZ, që t’i ofrojmë informatat zyrtare për anëtarët e grupit inicues se a janë votues të komunave përkatëse”, ka deklaruar ai.

“Së dyti, të njëjtit kanë kërkuar që t’i ofrojmë informatat lidhur me numrin e përditësuar të votuesve të regjistruar në këto komuna, mbi bazën e të cilit përllogaritet numri minimal i nevojshëm i nënshkrimeve prej 20%”, ka njoftuar tutje ai para mediave.

“KQZ-ja po trajton këto kërkesa dhe do të përgjigjet brenda afatit 5-ditor”, ka thënë zëdhënësi Elezi, duke shtuar se ata do të bashkëpunojnë me Agjencinë për Regjistrimin Civil për informacionet lidhur me listën votuese.

Në lidhje me komunën e Zveçanit, e cila ende nuk ka dorëzuar një kërkesë të ngjashme në KQZ, Elezi ka theksuar se nëse një kërkesë e tillë paraqitet, do të trajtohet me të njëjtin profesionalizëm si rastet e tjera.