Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka bërë të ditur se procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Kosovës ka nisur me kohë në të gjitha qendrat e votimit në vend.
Në një konferencë për media, zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se materialet zgjedhore, përfshirë fletëvotimet, janë shpërndarë në orët e hershme të mëngjesit në të gjitha qendrat e votimit.
“Duke u mbështetur në informacionet e pranuara, procesi i votimit për zgjedhjet e parakohshme ka nisur në të gjitha qendrat e votimit në vendin tonë”, deklaroi Elezi.
Ai u bëri thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote që të marrin pjesë në procesin zgjedhor dhe të shfrytëzojnë të drejtën e tyre demokratike.
Sipas Elezit, votimi po zhvillohet në 149 qendra të votimit në të gjithë territorin e Kosovës.
KQZ-ja ka njoftuar se konferenca e radhës për media do të mbahet në orën 11:30, ndërsa duke filluar nga ora 09:00 do të publikohen në platformën zyrtare të KQZ-së të dhënat e para për pjesëmarrjen e qytetarëve në dy orët e para të votimit.