Krasniqi: Afatizimi i dialogut u shpik, Kurti ra në kurthin e Serbisë për çështjen e targave
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është skeptik se do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në mars të këtij viti. Ai tha se afatizimi i dialogut është shpikur nga kryeministri Albin Kurti, pasi edhe në bazë të planit franko-gjerman, s’ka afatizim për ujdinë finale, raporton KP. Sipas tij, […]
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, është skeptik se do të arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, deri në mars të këtij viti.
Ai tha se afatizimi i dialogut është shpikur nga kryeministri Albin Kurti, pasi edhe në bazë të planit franko-gjerman, s’ka afatizim për ujdinë finale, raporton KP.
Sipas tij, afatizimi i padeklaruar nga ndërkombëtarët nënkuptohet fundi i vitit 2023 dhe fillimi i vitit 2024.
Lideri opozitar deklaroi se Kurti ra në kurthin e Serbisë për çështjen e targave dhe se gabimet e tij kanë kosto të pariparueshme për vendin. Ai adreson edhe një mori kritikash ndaj Kurtit, duke e quajtur të paaftë për të qeverisur.
“Afatizimin e ka shpikur kryeministri Kurti për të munduar të krijojë një narracion që është i pranueshëm për militantët e tij. Afatizim nuk ka nga partnerët ndërkombëtarë. Afatizimi i padeklaruar nënkuptohet fundi i 2023, fillimi i 2024, sepse është një periudhë ku nuk ka zgjedhje në ShBA, BE, Gjermani dhe Francë, por as në Kosovë dhe Serbi së paku të planifikuara. Duke pasur këtë, ata besojnë se mund të ketë një përparim. Por unë personalisht nuk kam pritur dhe as nuk pres që të ketë një marrëveshje kaq shpejt”, thotë ai.
Sipas Krasniqit, barrikadat dhe tensionet në veri muajin e kaluar filluan për shkak të insistimit të kryeministrit Kurti për çështjen e targave ilegale, për të cilat, më vonë hoqi dorë.
Krasniqi thotë se si pasojë e këtij gabimi, tash në veri s’ka as targa RKS, as institucione të shtetit që veprojnë plotësisht dhe as sovranitet të plotë.
“Krejt kjo filloi një zinxhirë të veprimeve, dorëheqjen e serbëve nga institucionet, dorëheqjen e kryetarëve të komunave dhe asamblistëve që automatikisht kanë sjellë nevojën kushtetuese për mbajtjen e zgjedhjeve, pastaj shkoi situata duke eskaluar. Në fund, kryeministri prapë e pranoi me vonesë kërkesën amerikane, i shtyu edhe zgjedhjet kushtetuese dhe legjitime që deri tash është dashur të kryhen. Tash si është situata, as nuk ka targa RKS në veri, as nuk ka institucione të shtetit që veprojnë plotësisht, as s’ka kryetar të komunave e zgjedhje lokale dhe as s’ka sovranitet të plotë… Gabimet që i ka bërë kryeministri Kurti kanë pasur një kosto, janë të ndërlidhura me krejt këtë situatë”, deklaroi Krasniqi.
Krahas kësaj, kryetari i PDK-së thotë se viti 2022 ka qenë vit i humbur për Kosovën, pasi në krye ka qenë një qeverisje jokompetente dhe pa vizion.















