Marrëveshja e arritur në Bruksel në takimin në mes kryeministrit të Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiq, është kritikuar nga ana e kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.

Në seancën plenare të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Krasniqi ka thënë se nuk kupton mosprezencën e Kurtit në Kuvend.

“Një politikan i përgjegjshëm pa e ftuar hiq do t’i ishte drejtuar qytetarëve për marrëveshjen…por kryeministri i Kosovës nuk është këtu as sot… Sinqerisht nuk e kuptoj se çfarë pune më të rëndësishme ka se me ardh në Kuvend e me ju drejtu qytetarëve….”, tha ai.

I pari i PDK-së tha se marrëveshja e arritur në Bruksel nuk mund të hyjë në fuqi pa u ratifikuar në Kuvend. Të njëjtën e cilësoi edhe si “të degraduar”.

“Ajo që ka ndodhur… nga qëllimi shtetëror për marrëveshje finale me njohje në qendër, ky proces ka degraduar në marrëveshje të përkohshme me Asociacionin në qendër”, tha ndër të tjera Krasniqi.

Në mes të tjerash, Krasniqi ka thënë se kreu i ekzekutivit nuk ka pse të frikësohet nga deputetët duke iu drejtuar kështu mungesës së tij në seancë.