Kryetari në dorëheqje i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka sqaruar arsyet që e çuan drejt këtij vendimi.
Ai theksoi se dorëheqja nuk ka të bëjë me lodhje apo zhgënjim personal, por është rezultat i një procesi të gjatë reflektimi politik që ka zgjatur më shumë se një vit.
“Kjo nuk ka të bëjë me lodhjen time apo ndonjë situatë zhgënjimi. Ka ardhur si rrjedhojë e një reflektimi më të gjatë, më shumë se një vit. Unë kam pasur një objektiv dhe një qëllim të përgjithshëm që PDK të rikthehet jo vetëm formalisht, por në mënyrë vendimtare si faktor kryesor politik”, tha Krasniqi në Klan Kosova për Rubikon.
Ai shtoi se qëllimi i tij ka qenë që ta rikthejë PDK-në në “gravitacionin e saj politik”, duke theksuar se rezultati i zgjedhjeve, megjithëse nuk solli fitore, tregoi rritje të partisë.
“Normalisht që objektivi për t’i fituar zgjedhjet nuk ndodhi, por PDK u rikthye tek gravitacioni i saj politik, 200 mijë votëshi që ne kemi pasur gjithmonë. Arritëm ndoshta rezultatin e dytë më të madh pa pasur koalicione parazgjedhore. Garuam me Bedri Hamzën si kandidat, që ishte propozim imi, dhe ishte një angazhim i madh për ta rikthyer PDK-në si forcë të paevitueshme politike, gjë që është evidente tashmë”, ka deklaruar ai.
Sipas Krasniqit, gjatë mandatit të tij është arritur të rikthehet besimi te votuesit tradicionalë të PDK-së.
