I pari i PDK-së, Memli Krasniqi dhe i pari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, janë nën mbrojtjen e Policisë së Kosovës.

Për të dy, policia ka angazhuar mbrojtje të afërt, e kjo u konfirmua nga zëdhënësit e dy partive opozitare, Sibel Halimi (LDK) dhe Faton Abdullahu (PDK).

Teksa e ka konfirmuar, Halimi për më shumë detaje ka kërkuar që të kontaktohet policia.

“Po, lajmi është i vërtetë! Për të gjitha informacionet e tjera, ju lutem kontaktone Policinë e Kosovës!”, ka thënë Halimi.

Edhe nga PDK-ja është konfirmuar, duke mos dhënë shumë detaje.

“Po, me rekomandim të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Kosovës, kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i është ofruar një ekip i njësisë së mbrojtjes së afërt të Policisë”, ka thënë Abdullahu.

Gjithashtu, Dukagjini ka pyetur edhe policinë në lidhje me këtë rast, por, ende nuk ka marrë një përgjigje.