Krasniqi e refuzon ftesën e Kurtit: Për tema të tilla është Kuvendi
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka refuzuar ftesën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të premten. Ai e ka kritikuar Kurtin, për mënyrën se si e ka dërguar ftesën, duke bërë të ditur se ajo nuk kishte agjendë dhe ishte joserioze. Krasniqi ka theksuar se për tema të tilla, […]





Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka refuzuar ftesën e Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për të premten.
Ai e ka kritikuar Kurtin, për mënyrën se si e ka dërguar ftesën, duke bërë të ditur se ajo nuk kishte agjendë dhe ishte joserioze.
Krasniqi ka theksuar se për tema të tilla, duhet të bisedohet në Kuvendin e Kosovës.
“Kryeministër nuk u befasova fare nga mënyra joserioze e ftesës për takim të premten, e cila erdhi pa përmbajtje e pa agjendë dhe pa protokoll. Një qasje kjo e juaja, që fillimisht më bëri të dyshoja edhe në vërtetësinë e ftesës, për shkak të përbuzjes së etikës së komunikimit institucional”, ka thënë ai përmes një videomesazhi.
“Por, për tema të tilla, për vendime të mëdha, ju së pari duhet të bëheni serioz dhe ta kuptoni se vendi i diskutimit nuk është një zyrë, por është salla e Kuvendit të Kosovës, sepse Kuvendi i Kosovës është adresa e popullit. Prandaj, diskutimet që i keni menduar për të premten në zyrën tuaj, ju ftoj që t’i bartni në Kuvend”, ka vijuar Krasniqi.
Krasniqi e ka kritikuar Kurtin për mostransparencë, teksa ka shtuar se nuk pranojnë të jenë pjesë e diskutimeve për dialogun nëse bisedohet për çështje teknike.
“Vetëm pasi kërkuam sqarime, kuptuam me një fjali përmes emailit se bëhej fjalë për një temë shumë serioze – siç është Dialogu Kosovë-Serbi. Pa asnjë detaj konkret e pa specifikuar asgjë. Po jua rikujtoj që s’keni asnjë arsye që të na ftoni në takime për çështje teknike. Ndërsa, kur të ketë diskutim konkret për marrëveshjen finale, ne do të jemi aty. Ka ditë që në opinion publik flitet për një dokument që ju e keni në tavolinë rreth marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, të ofruar nga partnerët ndërkombëtarë të Kosovës”, ka thënë Krasniqi.
Kryetari i PDK-së e ka theksuar qëndrimin e partisë së tij se do ta mbështesin një marrëveshje finale, e cila do ta ketë në qendër njohjen e ndërsjellë dhe ruajtjen e rendit kushtetues.




















