Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka reaguar ndaj një deklarate të kryeministrit në detyrë Albin Kurti, duke e akuzuar atë se i ka krahasuar bizneset protestuese me grupet kriminale që kanë vendosur barrikada në veri të vendit.

“Është e turpshme që kryeministri në detyrë i krahason punëtorët dhe bizneset e Kosovës me grupet dhe bandat kriminale në veri, që në të kaluarën kanë vendosur barrikada dhe kanë bllokuar rrugët. Kjo nuk do të duhej të ndodhte asnjëherë”, ka deklaruar Krasniqi pas dështimit të seancës së 23-të për konstituimin e Kuvendit.

Ai ka theksuar bizneset prodhuese janë në krizë të thellë për shkak të rritjes enorme të tarifave të energjisë elektrike nga ZRRE-ja.

“Tarifat për ta janë rritur jo 16 për qind siç na kanë shtrenjtuar gjithëve ne për herën e tretë por gati 300 për qind”, ka deklaruar ai.

“Ne sot nuk po flasim për një përqindje të vogël, por për mbi 50 për qind të punësuarve në sektorin privat”, ka thënë tutje ai.

Krasniqi mes tjerash ka shtuar se të premten PDK-ja nis betejën ligjore për këtë vendim.