Krasniqi: Emigrimi masiv i punëtorëve po godet rëndë ekonominë e Kosovës
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar të mërkurën më 1 mars, një ndërmarrje në Kamenicë, për të diskutuar për emigrimin e punëtorëve që po ikin masivisht nga Kosova. “Gjatë vizitës në Kamenicë, kam vizituar Fabrikën e mobilieve ‘Wood Product’ ku pronari Adil Kryeziu shprehu shqetësimin se punëtorët që kanë përvojë […]
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka vizituar të mërkurën më 1 mars, një ndërmarrje në Kamenicë, për të diskutuar për emigrimin e punëtorëve që po ikin masivisht nga Kosova.
“Gjatë vizitës në Kamenicë, kam vizituar Fabrikën e mobilieve ‘Wood Product’ ku pronari Adil Kryeziu shprehu shqetësimin se punëtorët që kanë përvojë pune po ikin për punë në Kroaci dhe vende të tjera të Bashkimit Evropian”, ka shkruar kreu i PDK-së në Facebook.
Krasniqi ka thënë se shumë të rinj nga i gjithë vendi po e braktisin Kosovën, në kërkim të persepektivës dhe rritjes së mirëqenies në shtetet e tjera.
“Me këtë trend të ikjes, Kosova po rrezikon të mbetet një vend i braktisur, dhe shumë biznese rrezikojnë të shuhen në të ardhmen për shkak të mungesës së burimeve njerëzore”, ka thënë ai.
Prandaj, sipas tij, detyrë e përbashkët duhet të jetë kthimi i besimit në institucione, “duke krijuar kushte të favorshme për zhvillimin e bizneseve, përmes të cilave, krijohen vende të reja pune me paga dinjitoze për qytetarët”.















