Kreu i PDK-së, Memli Krasniqi pas përfundimit të seancës për konsistiuimin e Kuvendit të Kosovës  e ka quajtur të pakuptimtë insistimin e Lëvizjes Vetëvendosje që Albulena Haxhiu të jetë kandidate për kryetare të Kuvendit.

Ai ka deklaruar para mediave pas seancës që dështoi për herë të 15-të se VV-ja duhet ta ndërrojë kandidatin pasi shtoi se s’i ka numrat.

” Fatkeqësisht edhe sot, për 15-tën herë me radhë pamë skenarin e njëjtè, këmbënguljen e njëjtë për mbajtjen e kësaj bllokade. Insistimin për skemë kundër ligjore dhe kundër kushtetuese për votimin e fshehtë. Një çasje e tepërt dhe po e pengon ecjen tutje. Shpreh keqardhje time dhe PDK-së për situatën ku gjithë vendi, institucionet dhe qytetarët kanë mbetur peng nga Vetëvendosja, e cila përkundër kërkesës, propozimit për ndrrim të kandidates”, deklaroi Krasniqi.

Ai tha se do vazhdojë të jap kontribut për zhbllokim të situatës aktuale.

Ndryshe, Për të 15-tën herë ka dështuar përpjekja për konstituim të legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës. Të martën, edhe një herë dështoi formimi i Komisionit për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Deputetët u mblodhën për rreth pesë minuta për një tjetër dështim. Pro votuan 56, kundër një.

Seanca e ardhshme do të mbahet më 15 maj me fillim prej orës 10:30.

Nga kjo ditë presidentja Vjosa Osmani pritet t’i nisë takimet me partitë në konsulta për dalje nga ngërçi.

Kuvendi konsiderohet i konstituuar vetëm pas zgjedhjes së kryetarit dhe nënkryetarëve. Në herët e shkuara, Lëvizja Vetëvendosje si subjekti më i madh nga zgjedhjet ka propozuar emrin e Albulena Haxhiut e cila nuk mori mbështetjen nga deputetët. Më pas, propozimi ishte që të kalohet në votim të fshehtë e që nga ajo kohë nuk ka shumicë për të formuar komisionin për të ndryshuar metodën e votimit. Pikërisht kjo kërkesë për ndryshim të mënyrës së votimit është dërguar në Gjykatën Kushtetuese një ditë më parë nga përfaqësues të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në këtë seancë u mbajt edhe një minutë heshtje për Tahir e Nebih Mehën në përvjetorin e rënies së tyre. Kjo nuk u respektua nga Lista Serbe.