Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka kritikuar ashpër qeverinë në detyrë, të udhëhequr nga Albin Kurti, për mungesën e reagimit pas arrestimit të ish-policit të Kosovës, Arbnor Spahiu, nga autoritetet e autoritetet serbe të Beogradit.

Krasniqi e ka quajtur ndalimin e Spahiut si “arbitrar dhe të padrejtë”, ndërsa ka shprehur indinjatë për mungesën e reagimit institucional nga ana e Qeverisë së Kosovës.

“Është e papranueshme që një qytetar i Kosovës të mbahet padrejtësisht nga regjimi serb, ndërkohë që institucionet tona heshtin. Qeveria që dikur i lavdëronte policët si heronj, sot nuk gjen guximin të thotë asnjë fjalë për ta. Të paktën një fjalë ngushëllimi për familjen, apo një përpjekje për lirimin e tij”, ka deklaruar Krasniqi.

Tutje Krasniqi i ka bërë thirrje edhe bashkësisë ndërkombëtare që të ndërhyjnë dhe të ushtrojnë presion për lirimin e Spahiut.

“U bëj thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të reagojnë menjëherë dhe të kërkojnë lirimin e menjëhershëm të këtij qytetari të pafajshëm”, ka deklaruar kreu i PDK-së.