Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, pas dështimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, ka akuzuar kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje për shkelje të qëllimshme të Kushtetutës.

Sipas tij, qytetarët që kanë ndjekur seancën janë bërë dëshmitarë të një abuzimi të hapur me rendin kushtetues dhe përpjekjes për ta ndryshuar atë në mënyrë arbitrare, përkundër një aktgjykimi të qartë të Gjykatës Kushtetuese.

“Sot çdo qytetar që na ka përcjellur janë bërë dëshmitarë të abuzimit dhe shkeljes kushtetuese me qëllim dhe vetëdije nga ana e Albin Kurti dhe të deputetëve të VV-së. Nuk është situata e njëjtë si para aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Nëse ka një qartësi, ai aktgjykim është i qartë që nuk mund të ndryshohet rendi i ditës, aq më pak në mënyrë arbitrare. Insistimi i njëjtë sot, sikur se në seancat e kaluara, për Kurtin dhe VV-në, as Gjykata Kushtetuese, as aktgjykimi i saj nuk kanë kurrfarë vlere. Kjo qasje e ka karakterizuar krejt qeverisjen e VV-së dhe të Kurtit, që është e papranueshme, është sulm kundër demokracisë,” tha Krasniqi.

Krasniqi ka shtuar se rendi i ditës është përcaktuar më 8 prill nga ish-kryetari Konjufca. Sipas tij, kandidatja për kryetare të Kuvendit, Albulena Haxhiu nuk do t’i bëjë kurrë votat. Sipas tij, kjo sjellje është e qëllimshme që të mos konstituohet Kuvendi.

Ka shtuar se sot ka ndodhur një shkelje e re. Krasniqi ka thënë se qysh në fillim të majit i ka bërë thirrje presidentes Vjosa Osmani që të marrë rol në ngërçin e krijuar.

Sipas tij, VV-ja tashmë ka qasje të hapur anti-Kushtetuese.

“Nuk ka asnjë kuptim më që të takohemi me Kurtin. Ne asnjëherë si kemi ikur asnjë takimi”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se do të përfundojnë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Deputetët kanë shënuar herën e 38-të që dështojnë të konstituojnë Kuvendin e Kosovës, pasi nuk kanë arritur të pajtohen rreth formimit të një komisioni për votim të fshehtë të kandidates për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu.

Në sallë kanë qenë 95 deputetë.

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e ka akuzuar drejtuesin e seancës, Avni Dehari për abuzim me detyrën që ka, pasi ai i ka ftuar partitë që të propozojnë nga një anëtar për komisionin për votim të fshehtë.

Hymete Bajrami nga Lidhja Demokratike e Kosovës, e ka lutur Deharin që t’i kthehet rendit të ditës me votim të hapur. Për të dyja këto parti, dhe parti tjera më të vogla, ndryshimi i mënyrës së votimit nga i hapur në të fshehtë është jokushtetues.

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, e ka përshkruar situatën në Kosovë si tepër të rëndë dhe e ka akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) se vetëm synon të përkeqësojë edhe më tepër situatën.

Kjo ishte hera e 39-të që ata u mblodhën në sallën e Kuvendit prej 15 prillit, ndonëse të dielën vetëm e vazhduan seancën e 38-të të së premtes, në të cilën nuk kanë votuar.

Ata ishin pajtuar për të mos votuar, me shpresën se takimi i së shtunës mes krerëve të partive politike do të prodhonte ndonjë rezultat.

Nuk ka ndodhur ashtu. Përfaqësuesit e partive politike janë mbledhur më 28 qershor dhe kanë diskutuar mbi dy orë, dhe në fund kanë vazhduar ta fajësojnë njëri-tjetrin për situatën aktuale.

Palët janë takuar pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur një aktvendim të enjten që i detyron deputetët të finalizojnë procesin e konstituimit më së largu deri më 26 korrik.

Kuvendi vazhdon të mos jetë plotësisht i konstituuar pasi partitë politike nuk kanë arritur pajtueshmëri për emrin e propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje për pozitën e kryeparlamentarit, si dhe për ndryshimin e mënyrës së votimit nga të hapur në të fshehtë.