Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, duke iu kundërpërgjigjur kryeministrit Albin Kurti në Kuvend, i ka thënë që të mos flasë më shumë, sepse, sipas tij, kryeministri i ka dhënë fjalën të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, se nuk do të tregojë detaje nga draft-statuti i Asociacionit.

“Unë ma shumë dola me thënë kryeministrit po bjerë në provokime mos trego më shumë se të qorton Lajçaku tani, e ke dhënë fjalën që nuk do të tregosh asnjë fjalë. Rri mirë, edhe ata tani ta rrahin shpinë se ka nisur me të pëlqye kjo rrahje e shpinës”, ka deklaruar Krasniqi.

Ndër të tjera, ai ka theksuar se Marrëveshja e Vitit 2013 parashikon që çdo statut i Asociacionit të bazohet në Statutin e Komunave të Kosovës, që udhëhiqet nga kryetari i Ferizajt, Agim Aliu.

“E sa për 2013, nëse nuk ka gaboj e di që ata dysha që t’i përmenda në fillim, ma nuk janë me ty, tash pyetja është a ke ndryshuar ti a kanë ndryshuar ata. Por, tani publikisht e ki, e ki numër dy kryetarin e Kuvendit i cili publikisht ka dalë lavdëruar marrëveshjen e vitit 2013, thojke me mujt na me u kthy te 2013-ta mos me dhënë më shumë bëhet mirë. Dhe kjo është e vërteta pavarësisht çfarë thua ti, përndryshe nuk do të kishte asnjë nevojë me pasë nenin 7 marrëveshja e re që e ke pranuar, sepse e ndërlidhur me nenin 10 që thua, por ti e ke dhënë edhe nenin 7 që i thua vetëmenaxhim e krejt na këtu po e dimë që është autonomi politike për komunitetin serb”, ka deklaruar tutje ai.

Krasniqi ka shtuar se është koha që të mos lejohet më shumë “mashtrimi” nga kryeministri Kurti.

“Marrëveshja e 2013 saktësisht në pikën e tretë e ka paraparë që çfarëdo statuti ka me qenë i bazuar me në statutin e Asociacionit të komunave të Kosovës, që është organizatë joqeveritare e që e udhëheq kryetari i Ferizajt, Agim Aliu. Nuk ke kë e mashtron më, të janë harxhu edhe mashtrimet”, ka deklaruar Krasniqi.