Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mbrëmjen e së enjtes i ka ofruar opozitës në Kuvend ndihmën e partisë së tij për t’i bërë numrat që vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Unë nuk mund të shkojë në zgjedhje pa opozitën. Për shkuarje në zgjedhje duhen 2/3 e votave dhe nuk ka mënyrë tjetër sipas aktvendimit të Kushtetueses”, ka thënë kryeministri Kurti për RTK-në.

“Mund t’i bëjnë bashkë me neve, kjo është ofertë e imja”, u shpreh Kurti, teksa ka shtuar se “shkojmë në zgjedhje kur dëshiron opozita, dhe ne i ndihmojmë opozitës nëse dëshirojnë të shkojnë në zgjedhje”.

Për këtë, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Kurti për shpërndarjen e Kuvendit dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme.

Krasniqi ka konfirmuar se nënshkrimet e PDK-së që nga nesër janë gati për shpërndarjen e Kuvendit.

Ai ka ftuar kryeministrin Kurti që të organizojë zgjedhje të parakohshme, duke thënë se “nëse ka guxim dhe ndjen të paktën pjesë të ndërgjegjes për gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet vendi”.

“Kryeministër, prej korrikut të vitit të kaluar të kam ba thirrje e të kam pritë që me shpërnda Kuvendin. Prej nesër nënshkrimet e PDK-së janë gati. Çohu shkojmë në zgjedhje menjëherë – nëse ke guxim e të ka mbetë pak ndërgjegje për situatën e vështirë që e ke sjellë vendin!”, ka shkruar Krasniqi në Facebook.

Po ashtu, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka komentuar deklaratat e kryeministrit Kurti lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve.

Kreu i LDK-së në një emision në T7 i është përgjigjur duke thënë se “Kurti është dorëzuar dhe duhet të jap dorëheqje”.