Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, gjatë fjalës së tij në Kuvendin e Kosovës, të enjten, në lidhje me kidnapimin e tre policëve të Kosovës në territorin e tyre ka akuzuar presidentin serb, Aleksandër Vuçiq për shkeljen e integritetit territorial të Kosovës, duke i krahasuar ato me politikat e ish-presidentit serb, Slobodan Millosheviq.

“Serbia e Vuçiqit dëshmoj se mbetet në logjiken e njëjtë sikur Serbia e Sllobodan Milloshoviqit. Vuçiqi me këto veprime mund të ketë dëshirë që të shkaktojë trazira mund të dëshirojë që të ketë edhen një konflikt, por duket qartë që nuk dëshiron as marrëveshje me Kosovën”, ka deklaruar Krasniqi.

Ai ka shprehur shqetësim për mungesën e angazhimit dhe veprimeve konkrete të Qeverisë së Kosovës në ruajtjen dhe mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

Po ashtu, ai ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për mungesën e informacionit dhe angazhimit në përpjekjet për të siguruar kthimin e policëve të kidnapuar në Kosovë.

Krasniqi ka thekuar se përtej politikave agresive të Serbisë, thelbësore është jeta e zyrtarëve policorë të kidnapuar, për të cilët nuk ka askush asnjë informacion deri tani.

“Por përtej kësaj më e rëndësishëm është jeta e zyrtarëve policorë, për të cilët akoma as ne e siç duket as ju kryeministër nuk keni asnjë lajm, as se ku janë, as se si janë, e as çfarë po ndodh me ta. Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Shemsi Mustafa sot janë në Serbi, të kidnapuar nga shteti serb, familja e tyre janë në ankth duke mos pasur asnjë informatë për fatin e familjarëve të tyre. Përderisa përgjegjësia për shëndetin dhe sigurinë e policeve tanë ëshët e Serbisë, përgjegjësia për kthimin e tyre në shtëpitë e tyre tani është e juaja kryeministër. Ne duhet ta dimë se cilat janë veprimet konkrete të cilat Qeveria i ka marrë në këtë drejtim”, ka deklaruar ai.

Ai i ka bërë thirrje Qeverisë të ndërmarrin veprime konkrete dhe të kërkojë mbështetjen e aleatëve ndërkombëtarë dhe forcat e KFOR-it në luftën kundër kësaj shkeljeje të qartë të integritetit territorial.