Kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi në nder të 25-vjetorit të Çlirimit të Kosovës, ka rikujtuar po këtë ditë para 25 vitesh, duke thënë se kjo ditë popullin e Kosovës e kishte gjetur dikë në vend dikë jashtë vendit, dikë të dëbuar dhunshëm e disa edhe në burgje.

Por, Krasniqi thotë se ndryshe i kishte gjetur të gjithë ata që luftuan për liri, sypatrembur me pushkë në dorë, në frontet e luftës çlirimtare.

“12 qershori i vitit 1999 është nga ato ditët që secili që kemi jetuar e mbajmë në mend mirë se ku kemi qenë dhe çfarë kemi bërë atë ditë, kjo ditë dikë e ka gjetur jashtë Kosovës, të dëbuar dhunshëm apo nëpër kampe të refugjatëve, dikë në Kosovë të frikësuar apo duke u strehuar maleve, dikë tjetër të degdisur në shtete të ndryshëm të botës, e disa të tjerë edhe në burgje të Serbisë, por një kategori e zgjedhur e popullit tonë, kjo ditë i ka gjetur me pushkë në dorë nëpër frontet e luftës çlirimtare, të gatshëm të vdesin për liri duke ndjekur shembullin e pishtarit më të ndritshëm të rrugëtimit tonë kombëtar, komandatit legjendar Adem Jashari,” ka thënë Krasniqi.

Krasniqi bëri falënderime për të gjithë që sakrifikuan për lirinë e vendit, Kosovës, që sipas tij duhet falënderuar brez pas brezi, përgjithmonë.

“Për ata burra e gra të cilët patën vullnetin, guximin dhe besimin për të marrë përgjegjësi për vetvetën dhe për të ardhmen e ndritshme të popullit e vendit tonë. Të repsektuara familje të dëshmorëve dhe të martirëvë të luftës tonë çlirimtare, përulje dhe nderim, që bijat dhe bijtë më të mirë ia falët kësaj toke, ia falët lirisë, pa sakrificën dhe gjakun e tyre, asnjë nga ne nuk do të ishte sot këtu, e Kosova nuk do ishte e lirë, të nderuar veteranë e invalid, të UÇK-së, faleminderit që pa menduar dy herë vutë jetrat tua në rrezik për një Kosovë pa robëri, ju të burgosur politik, intelektual gazetar e publicist, mësimdhënës, mjek e infermier, minatorë, artistë, sportistë,fermerë ndërmarrës, faleminderit për qendresën dhe kurajon e jashtëzakonshme që keni treguar vit pas viti e dekadë pas dekade duke qëndruar në këmbë,” tha Krasniqi.