Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka falënderuar Bashkësinë Islame të Kosovës për mbështetjen e saj në Marshin për Drejtësi.

Këtë Krasniqi e ka bërë përgjatë një iftari të përbashkët.

“Sonte kisha kënaqësinë ta kem në iftar myftiun Naim Tërrnava me bashkëpunëtorët e tij nga Bashkësia Islame e Kosovës. Përafrimi dhe bashkimi mes njerëzve gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit është një nga shtyllat që i jep kaq shumë vlera e dashuri këtij muaji. Uroj që frymëzimi i këtij muaji për të bërë vepra të mira për familjen, shoqërinë e shtetin, të na përcjellë gjatë gjithë kohës. Myftiun e përgëzova për punën e vlefshme të BIK-ut në ndihmë nevojtarëve dhe e falënderova veçanërisht për mbështetjen e madhe që Bashkësia Islame e Kosovës i dha marshit paqësor për drejtësi, në solidarizim me themeluesit e UÇK-së në Hagë. Agjërim të lehtë e të pranuar të gjithë besimtarëve!”, ka shkruar Krasniqi, në Facebook.

Marshi për Drejtësi i realizuar në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, ka mbledhur afro 100 mijë marshues.

Më 3 prill të këtij viti ka filluar gjykimi i Jakup Krasniqit, Kadri Veselit, Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimit në Hagë. Ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, vepra për të cilat janë deklaruar të pafajshëm.